Molliqaj: Kurti nuk e refuzoi takimin me Vuçiqin, e shtyu për arsye populiste

E publikuar: 28/04/2021 16:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e ka refuzuar takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Sipas Molliqajt, Kurti e shtyu takimin për arsye populiste.

Kreu i PSD-së tha se numri një i Qeverisë nuk dha arsye politike dhe parimore pse nuk merr pjesë në takim.

“Kurti nuk e refuzoi takimin me Vuçiqin, por e shtyu atë për arsye populiste. Ai nuk dha asnjë arsye politike e parimore pse nuk merr pjesë në këtë takim. Natyra e arsyetimit ishte protokolare”.

Reagimi i plotë:

Ai dëshiron të DUKET, por jo edhe të JETË, ai që ishte.
Kurti nuk e refuzoi takimin me Vuçiqin, por e shtyu atë për arsye populiste. Ai nuk dha asnjë arsye politike e parimore pse nuk merr pjesë në këtë takim. Natyra e arsyetimit ishte protokolare.
Kurti tashmë ka zbritur tek simbolikat si zëvendësim për përmbajtjen. Ai dëshiron të duket, por jo edhe të jetë, ai që ishte. Shtyrja është në funksion të imazhit prej një politikani të qëndresës. Por këtij imazhi i ka rrjedhur përmbajtja e nevojshme për rezistencë. Kurti tashmë është duke e përgatitur ekipin negociator, disa nga të cilët janë emra që i takojnë historikut të dialogut që Lëvizja e Kurtit e kundërshtoi nga fillimi.
Ai tashmë ka pranuar kornizat politike dhe përmbajtjen e dialogut. Jo-jat e vogla vijnë pas pranimit të madh.