Molliqaj akuzohet se po punon për ndarjen e VV’së dhe formimin e një partie të re

E publikuar: 18/01/2018 23:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sekretari Organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, ka thënë se ish-sekretari i partisë, Dardan Molliqaj, po organizon takime ilegale me aktivistet e Lëvizjes.

“Disa aktivistë dhe anëtarë kryesie të Qendrave të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Ditëve të fundit po ankohen se ish Sekretari Organizativ, Dardan Molliqaj po organizon takime ilegale me aktivistet e Lëvizjes”, ka thënë Kurteshi, nëpërmjet një shkrimi në Facebook.

Molliqaj, i cili i prin një grupi të VV’së që kundërshton kthimin e Albin Kurtit në krye të partisë, është akuzuar se po punon për ndarjen e VV’së dhe për formimin e një partie të re.

Shkrimi i plotë i Kurteshit:

Ankesat e Aktivistëve

Disa aktivistë dhe anëtarë kryesie të Qendrave të Lëvizjes VETËVENDOSJE! Ditëve të fundit po ankohen se ish Sekretari Organizativ, Dardan Molliqaj po organizon takime ilegale me aktivistet e Lëvizjes..

Në këto takime, sipas aktivistëve, ai po pretendon se ai, dhe përkrahësit e tij, do të bëjnë një “çarje të madhe” në organizatë, duke aluduar edhe për krijimin e një partie të re. Në këto takime, sipas aktivistëve, janë përmendur shifra që kanë të bëjnë me dëmet që ai synon t‘ia shkaktojë Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Secili ka të drejtën e fjalës së lirë, por kjo e drejtë dhe pozicionet që njerëzit mbajnë brenda Lëvizjes VETËVENDOSJE! nuk mund të keqpërdoren duke përhapur dezinformata brenda Lëvizjes, me qëllim të dobësimit të saj. Veprime e tilla të dëmshme janë të papranueshme dhe si të tilla duhen të ndalen menjëherë.

Në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, angazhimi dhe puna e organeve vendimmarrëse dhe organizimi i aktiviteteve po vazhdojnë, në përputhje me Statutin dhe rregulloret e brendshme, si dhe po respektohet demokracia e brendshme dhe parimet tona politike. Përkrahja e madhe për Lëvizjen që po ndodh këto ditë është garancia më e mirë se asnjë manipulim nuk mund ta ndalë rritjen dhe fuqizimin e mëtutjeshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, prandaj çfarëdo përpjekje për dobësimin e Lëvizjes Vetëvendosje është e kot.