Policia: Dezinformim i opinionit, nuk pati të shtëna në kufirin me Serbinë

E publikuar: 19/01/2017 17:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Policia e Kosovës ka demantuar raportimet në një media se në një zonë të kufirit të Kosovës me Serbinë ka pasur shkëmbime me armë zjarri mes pjesëtarëve kosovarë dhe atyre të xhandarmerisë serbe

“Referuar këtyre raportimeve ju informojmë se nuk ka asnjë informacion zyrtar se ka ndodhur një rast i tillë”, tha për Gazetën Express, zëdhënësi Baki Kelani.

“Lajmi i publikuar është veçse një dezinformim i opinionit publik. Policia e Kosovës është në kryerje të detyrës zyrtare edhe në brezin kufitar”, tha tutje zëdhënësi Kelani.

Ndryshe, një portal kosovar ka raportuar pak më parë se në afërsi të fshatit kufitar Dobrosin, të enjten, ka pasur një situatë tepër të tensionuar ndërmjet Xhandarmërisë serbe dhe Policisë së Kosovës. Sipas këtij portali situata kishte eskaluar deri në të shtëna me armë.