Modifikim apo përshtatje “sui generis” e kufijve të Kosovës

E publikuar: 11/03/2019 07:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ideja për ndryshimin e kufijve të Kosovës, si opsion i cili do të mundë të përfshihej në një marrëveshje të arritur në dialogun që po zhvillohet në Bruksel, nuk është kurrsesi e vdekur, ndonëse shumë diplomatë evropianë pranojnë se ajo është një ide e rrezikshme dhe shumë pak e dëshirueshme.

Duket se mbështetësit fillestarë të kësaj ideje, presidenti i Kosovës dhe ai i Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, pastaj përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federika Mogherini me bashkëpunëtorët e saj të përfshirë në dialog, si dhe komisari Johanes Hahn, nuk kishin llogaritur në rezistencë kaq të madhe dhe të prerë jo vetëm në Kosovë, por edhe brenda vetë Bashkimit Evropian për këtë ide, shkruan sot “Koha Ditore”.

Disa diplomatë evropianë, me të cilët ka biseduar “Koha Ditore” ditëve të fundit besojnë se krejt kjo ide, e pamatur, ka ardhur si përpjekje për t’i dalë në ndihmë presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq që, siç thonë, “dhe ai të marrë diçka dhe Serbia të mos duket si humbëse”, në mënyrë që ta ketë më lehtë një lloj njohje të Kosovës.

Të gjithë ata që e kanë mbështetur këtë ide, nga ana e BE-së nuk janë njerëz që kanë ndonjë përvojë të madhe nga Ballkani. Prandaj kanë menduar që të dy presidentët “pa problem të madh” të fitojnë mbështetjen në shtetet e tyre përkatëse për këtë ide. Dhe këtu u kanë dalë llogaritë e pabazuara.