Mobilizohen MD dhe Policia në pritje të diasporës

E publikuar: 26/05/2015 19:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në takim është diskutuar edhe rreth sigurisë në komunikacionin rrugor, për ndërmarrjen e masave të nevojshme me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë në trafik.

Ministri i Diasporës Valon Murati dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës Shpend Maxhuni, u takuan sot për të diskutuar rreth mobilizimit të dy institucioneve, koordinimit të aktiviteteve të përbashkëta si dhe ndihmës reciproke, në funksion të regjistrimit të diasporës dhe informimit sa më të mirë të bashkatdhetarëve rreth procedurave për pajisjen me dokumente personale, aktiviteteve kulturore e artistike që organizohen për nder të tyre.

Sipas njoftimit nga Policia e Kosovës, në takim është diskutuar edhe rreth sigurisë në komunikacionin rrugor, për ndërmarrjen e masave të nevojshme me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë në trafik, si dhe sensibilizimit të opinionit dhe bashkatdhetarëve të cilët kryesisht në numër me të madh frekuentojnë Kosovën gjatë sezonit veror.

Drejtori Maxhuni dhe ministri Murati kanë rënë dakord që bashkatdhetarët të njoftohen vazhdimisht, si nga Policia e Kosovës ashtu edhe nga Ministria e Diasporës, për gjendjen reale në pikat kufitare të Republikës së Kosovës, me qëllim të evitimit të radhëve të gjata, duke shfrytëzuar pikat alternative kufitare, për të cilat Policia e Kosovës garanton se janë plotësisht të sigurta për kalim.

Të dy krerët e të dy institucioneve u zotuan për vazhdimin e bashkëpunimit të ndërsjellë në mes të dy institucioneve si dhe u pajtuan se n jë nga problemet me të cilat ballafaqohet Policia Kufitare, e që po i shkakton radhët e gjata, është edhe sigurimi kufitar i automjeteve, problem ky për të cilin Ministria e Diasporës po mundohet të gjejë zgjidhje në bashkëpunim me institucionet tjera kompetente.

Policia e Kosovës, ndër të tjera garantoi se gjatë kësaj sezone do të punojë me kapacitete të plota dhe me plan operativ të veçantë, me qellim të shmangies së pritjeve të gjata si dhe ngritjes së nivelit të sigurisë në trafik, thuhet në njoftimin nga takimi.