MMPH shënon Ditën Ndërkombëtare të Meteorologjisë

E publikuar: 23/03/2016 14:40
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) ka shënuar sot 23 Marsin, Ditën Botërore të Meteorologjisë. Me këtë rast, nxënës të shkollave fillore dhe të mesme i vizituan objektet e institutit, ku u njoftuan nga afër me metodologjinë e punës dhe me pajisjet meteorologjike.

Drejtoresha e Institutit Hidrometeorologjik, Letafete Latifi, tha se kjo ditë nuk shënohet rastësisht, mirëpo është me një qëllim të caktuar, sepse çdo herë në këtë ditë Organizata Botërore e Meteorologjisë, jep një mesazh për të sensibilizuar institucionet ndërkombëtare, qeveritare, shoqërinë civile dhe të gjithë aktorët që janë pjesë e mjedisit ku jetojnë për çështjet globale meteorologjike dhe që kanë ndikim edhe në mjedis.

“Edhe ne, jemi sot këtu për të sensibilizuar institucionet tona qeveritare mbi mesazhin që ka dhënë Organizata Botërore për vitin 2016. Mesazhi i organizatës është që të përballemi me të ardhmen, për atë që jemi duke e parë dhe duke e vërejtur, ndryshimet që janë në botë. Bota sot po përballet me ndryshme klimatike, me ngritje të temperaturave, në disa kontinente përballet me cunami, me vërshime, dhe me dukuri ekstreme të motit. Të gjitha këto, me një fjale i quajmë ndryshime klimatike”, tha ajo.

Sipas saj, edhe Kosova duhet të përgatitet për pasojat e ndryshimeve klimatike. “Pavarësisht që Kosova ende nuk është shumë e atakuar, por ka sinjale”, tha ajo.

Kurse, kryeshefi i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), Ilir Morina, tha se derisa bota e zhvilluar ka ecur shumë përpara me teknologjinë e përparuar, Kosovës i mungojnë mjetet financiare.

“Gjithmonë kemi kërkuar përkrahje bazike. Ne sot lëngojmë me mungesë të stafit, me mungesë të projekteve që ne i dimë, i kemi kërkuar duke avancuar komplet fushën kombëtare në çështjen e meteorologjisë. Gjithashtu, infrastruktura në përgjithësi kërkon ndërhyrje, përmirësim dhe zgjerim të rrjeteve, e sidomos të rrjeteve automatike që sot e gjithë bota i ka. Ne ende kemi shumë pajisje manuale”, tha ai.

Edhe, zëvendësministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Mendim Rugova, u pajtua se IHMK ka nevojë për fonde dhe për ndihmë institucionale.

Rugova tha se pas përfundimit të luftës, Kosova ka trashëguar një gjendje kaotike sa i përket gjendjes ekologjike dhe ruajtjes së mjedisit në përgjithësi.

“Ishin sfida të rënda për ne, në veçanti për ngritjen e institucioneve ekologjike në këtë fushë për të riorganizuar kapacitete njerëzore në mungesë të madhe të potencialeve teknike-teknologjike, për të qenë koherentë me avancimin e kësaj fushe”.

“Në këto ditë duhet t’i përkujtojmë dhe falënderojmë punonjësit e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës për punën e tyre në kushte të vështira, me mungesa të mëdha të fondeve dhe kapaciteteve teknologjike për t’i informuar qytetarët për motin dhe për të mbledhur shënime të mjaftueshme klimatike”, tha ai./EkonomiaOnline/