Mjerimi i LDK-së: Nuk dinë gjë për Gjykatën Speciale!

E publikuar: 27/07/2015 15:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Njerëzit e Lidhjes Demokratike të Kosovës edhe pse po e drejtojnë Qeverinë e Kosovës, ata duket se nuk kanë lidhje se çka në realitet ndodh me proceset e rëndësishme në vend. Më saktësisht, zhvillimet rreth Gjykatës Speciale e kanë lënë krejt “out”, Isa Mustafën dhe partinë e tij.

Një deputet i LDK-së, në kushte anonimiteti i ka thënë Gazetës Blic se ata nuk e kanë as edhe një informacion se çka po ndodh me Gjykatën Speciale. “Ne marrim vesh, aq sa dëshiron të na tregon PDK dhe aq sa na informojnë mediet”, ka thënë ky burim.

“Nuk e dimë se a do të ketë riprocedim të amendamentit kushtetues, apo se kur saktësisht mund të ndodh kjo. Pra, gjithçka është në njëfarë forme në dorën e PDK-së”, tha ky deputet.

Ndërkohë, Gazeta Blic tash e katër ditë është duke pritur përgjigje nga ana e zëdhënësit të Qeverisë, Arban Abrashi në lidhje me atë se kur do të ndodh riprocedimi i amendamentit kushtetues, i cili do t’i hapte rrugë themelimit të Gjykatës Speciale.

Të premten e kaluar gazeta i ka dërguar pyetje për këtë çështje, mirëpo ai ende nuk është përgjigjur. Ndërkaq, sot nga Zyra e Kryeministrit, kanë kërkuar që për këtë çështje, gazeta Blic të dërgoj pyetjet me shkrim, në mënyrë që të marrë përgjigjet.

Në anën tjetër, kryeministri i vendit, Isa Mustafa në konferencën për medie që e ka mbajtur të premten ka paralajmëruar deputetët se nuk do të ketë pushim, pa përfunduar Gjykata Speciale. Megjithatë, i pari i ekzekutivit nuk ka dhënë afate se kur mund të ndodh riprocedimi në Kuvend i amendamentit kushtetues.

Në anën tjetër, Adem Grabovci i ka thënë Gazetës Blic se ata janë në pritje të Qeverisë, në mënyrë që pastaj Gjykata Speciale të votohet në Kuvend.

Para një muaji ishin 13 deputetë të PDK-së, ata të cilën me votën e tyre, rrëzuan amendamentin kushtetues, dhe kështu nuk lejuan formimin e Gjykatës Speciale./ Gazeta Blic