Mjekët ortopedë të QKUK-së zyrtarisht ndërpresin grevën, por jo edhe kirurgët

E publikuar: 04/02/2019 15:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Mjekët ortopedë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës edhe zyrtarisht kanë ndërprerë grevën.

Drejtori i Klinikës së Ortopedisë, Arbër Tolaj, ka thënë për lajmi.net se edhe pse nuk janë të kënaqur me koeficientin, ata kanë ndërpre grevën.

Tolaj ka treguar se puna ka vazhduar normalisht nga dita e sotme.

“Po është ndërprerë greva e mjekëve ortopedë. Sot kanë filluar me punën, pasi është marrë vendimi për koeficientin. Edhe pse nuk jemi të kënaqur, mirëpo grevë nuk ka dhe kemi filluar punën me të gjitha kapacitetet, pa kufizime”, ka thënë Tolaj.

Në anën tjetër, kolegjiumi i kirurgëve janë duke vazhduar me grevën për arsye që, siç thonë ata, kërkesa e tyre për rritje të pagave nuk është plotësuar në Ligjin e ri për paga.

“Meqë Parlamenti i Kosovës në votimin për projektligjin për paga nuk ka marrë parasysh kërkesën tonë për rritje të koeficientit në nivel të gjykatësve dhe prokurorëve e që konsiderojmë se është një kërkesë e jona modeste dhe e bazuar në kriteret në bazë të të cilave indeksohem koeficientet, ne vazhdojmë grevën me kërkesën e njëjtë dje nuk do të ndërpresim atë deri në realizimin e saj”, thuhet në deklaratën e kolegjiumit të kirurgëve.