Miratohet dokumenti për evitimin e keqpërdorimeve të pensioneve

E publikuar: 23/03/2016 11:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot, ka miratuar draft dokumentin për rregullimin e fushës së pensioneve, ku parashihet dhe evitimi i keqpërdorimeve të pensioneve, nga qytetarë të cilët jetojnë jashtë vendit, e të cilët vazhdojnë të marrin pensione edhe në Kosovë.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi tha se qëllim kryesor mbetet krijimi i politikave sa më të mira pensionale, për qytetarët e Kosovës. Abrashi thotë se përmes kësaj politike, propozohet ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti. Ndryshimet konsistojnë kryesisht në skemën e pensionit bazik të moshës, i cili i ofrohet të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa marrë parasysh se a realizojnë të hyra apo jo, do të riemërohen në pension social të shtetit apo asistencë të pleqërisë .

Qeveria po ashtu ka miratuar propozimin e komunës së Prishtinës për themelimin e ndërmarrjes publike lokale “Prishtina Parking”. Zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik Besa Zogaj -Gashi tha se kjo ndërmarrje do të ketë statusin e shoqërisë aksionare, ku Komuna e Prishtinës do të jetë pronare e plotë e aksioneve dhe do të funksionojë sipas parimeve të qeverisjess së korporatave.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës megjithëse kishte në rend dite dhe shqyrtimin e Projektligjit për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në komunat e Kosovës, që nuk kanë marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë në vitin 2011, për arsye teknike ka shtyrë që kjo pikë të shqyrtohet brenda dy apo tri javëve.