Miratimi i projektligjeve nga Kuvendi e bën Kosovën me Ushtri

E publikuar: 18/10/2018 14:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme ka shqyrtuar tri projektligje për FSK-në.
Fillimisht me shumicë votash është miratuar në lexim të parë projektligji për ministrinë e Mbrojtjes me 101 vota pro.

Pas kësaj ministri i FSK-së, Rruste Berisha tha se pas këtij miratimi parashihet transformimi i FSK-së në ministri të Mbrojtjes, shkruan lajmi.net.

Me 98 vota pro, Kuvendi miratoi në lexim të parë projektligjin për krijimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Po ashtu, deputetët e Kuvendit me 96 vota pro miratuan shqyrtimin e parë të projektligjit për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Gjatë seancës plenare të gjithë deputetët e Kuvendit u shprehën se janë pro krijimit të Ushtrisë së Kosovës, ndërsa Lista Serbe duke kundërshtuar projektligjet për ushtrinë e lëshuan sallën e Kuvendit.

Deputeti i kësaj Liste, Igor Simiq u shpreh se transformimi i FSK-së në ushtri nuk është në interes të komuniteteve.

Ndërsa, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka deklaruar se sot ishte një prej ditëve më përcaktuese për vendin në konsolidim të shtetit dhe në rrugën drejt NATO-s.

Haradinaj ka thënë se me votimin në lexim të parë të pakos së ligjeve për FSK-në, deputetët e Kuvendit vulosën të drejtën e shtetit tonë sovran për tranzicionin e FSK-së në mandat ushtarak dhe mbrojtës, ofruese e sigurisë për të gjithë qytetarët dhe komunitetet.