“Miqësia e përjetshme” shqiptaro-kineze me fotot e propagandës

E publikuar: 13/05/2018 11:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Së paku për ne në Amerikën e Veriut, fotografitë propaganduese të viteve ’60 të Bllokut Lindor dhe shteteve komuniste aziatike jetojnë sikur kiç vizual, më shumë për të inspiruar fanellat ikonike, baret e hipsterëve apo “Boratin”, sesa për të na bërë të mendojmë për njerëzit e vërtetë në ata trupa – duke pozuar përpara fabrikave a termocentraleve të reja apo tek buzëqeshin, derisa mbajnë një kallashnikov në ndonjë shteg malor, shkruan sot “Koha Ditore”.

Për projektin e saj më të ri, shkrimtarja e artistja franceze Anouck Durand i ka marrë fort seriozisht këto fotografi, duke hulumtuar për jetën përtej buzëqeshjes së detyrueshme.

Narracioni i saj vizual, përmbledhur në “Eternal Friendship” (Miqësi e përhershme), i bashkon ato imazhe të harruara në diçka që lexohet sikur të ishte pjesërisht novelë e bazuar në dokumente e pjesërisht shkrim tredimensional historik.

Shqipëria e armiqve

Pikënisja e Durand duket krejtësisht e rastësishme – “miqësia” e përhershme ndërmjet Shqipërisë dhe Kinës, që zgjati pak më shumë se një dekadë ndërmjet fundit të viteve ’60 dhe fillimit të ’70, dhe lindi si pasojë e shpërbërjes sino-sovjetike dhe prishja e palavdishme e raporteve të Shqipërisë si shtet klient i Jugosllavisë.

“Do të duhej thënë se Kina ka pak miq këto ditë. Dhe Shqipëria shumë armiq”, thotë vajtueshëm një prej personazheve kryesore të librit.