Hoxha: Komunitetet janë ura të rëndësishme bashkëpunimi

E publikuar: 23/04/2019 16:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, priti sot në takim, Zëvendësministrin e Punëve të Jashtme dhe Drejtor për Çështjet e BE-së, z. Faruk Kaymakcı, me të cilin diskutoi për të arriturat e procesit integrues si dhe përkushtimin e Kosovës për këtë proces.

Ballkani perëndimor është brenda agjendës dhe perspektivës integruese, për zgjerimin e BE-së drejt rajonit të Ballkanit, duke vlerësuar përkushtimin e lartë të Kosovës për këtë agjendë, potencoi Ministrja Hoxha.

“Vlerësojmë lartë përkrahjen dhe bashkëpunimin me Turqinë për proceset që ka kaluar vendi ynë, në veçanti gjatë shtetndërtimit dhe kontributin për zhvillimin ekonomik. Perspektiva e rajonit është e qartë, të gjitha vendet veç e veç jemi të përkushtuara për zgjerimin e BE-së drejt gjashtë vendeve të Ballkanit perëndimor, me vlerat integruese evropiane”, potencoi Ministrja Hoxha dhe shtoi se Kosova është duke kontribuar si faktor paqeje, stabiliteti dhe fqinjësisë së mirë në rajon.

Ministrja po ashtu vlerësoi lartë të arriturat si dhe vlerat e Kushtetutës së Kosovës, duke mbrojtur dhe promovuar të drejtat e komuniteteve pakicë, si shembull në nivel rajonal dhe më gjerë, si dhe fuqizimin e urave lidhëse ndërmjet dy popujve.

Zëvendësministrin e Punëve të Jashtme dhe Drejtor për Çështjet e BE-së, z. Faruk Kaymakcı, vlerësoi bashkëpunimin bilateral si dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve jo-shumicë në Kosovë, në veçanti integrimin e tyre në institucionet e të gjitha niveleve, si urë e rëndësishme e bashkëpunimit në mes të dy popujve./Infosot/