Ministrja Hoxha vazhdon lobimin, siguron përkrahjen e Polonisë

E publikuar: 14/02/2019 14:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, është pritur në takim nga Zëvendës Ministri në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Polonisë, Szymon Szynkowski vel Sek, nga i cili kërkoi përkrahje për procesin integrues dhe votimin për liberalizim në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.

Ministrja Hoxha, ka theksuar se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet e parapara për liberalizim, duke shfaqur brengën e qytetarëve të Kosovës rreth vonesave të paarsyeshme për lëvizjen e lirë.

“Polonia ka qenë përkrahëse e vazhdueshme e Kosovës, tash kërkojmë ende përkrahje për votimin pro në Këshillin e Ministrave për liberalizim si dhe procesin e mëtejmë integrues. Ne nuk kemi alternativë tjetër, rruga jonë e vetme janë vlerat evropiane”, ka theksuar ministrja Hoxha duke shtuar se Kosova me sukses po i realizon reformat dhe MSA-në.

Zëvendës ministri i Punëve të Jashtme të Polonisë, Szymon Szynkowski vel Sek, theksoi se Polonia i ka ofruar deri më tani, edhe më tej do t’i ofroj përkrahje procesit të liberalizimit të vizave dhe nuk do të jetë pengesë për këtë proces. Zëvendës ministri, po ashtu, ofroi përkrahjen e Polonisë jo vetëm për procesin integrues dhe liberalizimin e vizave por edhe integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe për avancimin e rrugës integruese.

Gjatë kësaj vizite, Ministrja Hoxha zhvilloi takime edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Polonisë, me Sekretaren e Përgjithshme znj. Renata Szczech, nga e cila kërkoi votën e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Këshillin e Ministrave për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë. Sekretarja e Përgjithshme siguroi se Kosova ka përkrahjen e Polonisë për liberalizimin e vizave./Infosot/