Ministrja Hoxha: Rekomandimet e raportit të progresit, udhërrëfyes për Kosovën

E publikuar: 29/05/2019 18:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha sot së bashku me kryeministrin Haradinaj kanë pranuar raportin e progresit të Komisionit Evropian nga shefja e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova.

Ajo ka thënë se ky raport është një udhërrëfyes se çfarë Kosova duhet të bëjë në të ardhmen.

“Sot, kemi pranuar raportin e vendit që është një udhërrëfyes se çfarë duhet të bëjmë, pra një pasqyrë e punës që kemi bërë si shtet, jo vetëm neve si qeveri, ky raport përfshinë të gjitha institucionet, mediat dhe shoqërinë civile”, tha ministrja Hoxha.

Ajo gjithashtu është shprehur se ky raport përmend rekomandime të cilat janë evidentuar edhe më herët nga institucionet e vendit.

“Mendoj se ka të arritura që ky raport i përmend, por kemi edhe rekomandime që na tregon rrugën e reformave. Shumë nga rekomandimet që gjenden në këtë raport, ne i kemi evidentuar edhe më herët në paraqitjet tona publike. Të gjithë e dijmë se duhet të punohet në fushën e sundimit të ligjit, krimit të organizuar dhe korrupsionit”, tha Hoxha më tutje.

Gjithashtu, Hoxha ka thënë se pas një analize të thuktë të raportit do të mbahet këshilli ndërministror dhe do të bëhet plani konkret që të fillohet zbatimi i rekomandimeve të raportit.