Ministrja Hoxha nënshkruan Memorandum mirëkuptimi me UNDP

E publikuar: 05/11/2018 14:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha dhe Ulrika Richardson, nga UNDP, sot, nënshkruan Memorandum mirëkuptimi me të cilin u pajtuan për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm përmes çrrënjosjes së varfërisë, avancimit të gruas, qeverisjes së mirë, sundimit të ligjit si dhe më shumë bashkëpunim efektiv në mes të Kosovës dhe UNDP-së si dhe lëmin e Partneritetit Global.

Ky Memorandum Mirëkuptimi, ndërmjet Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP) dhe Ministria e Integrimit Evropian e Kosovës (MIE), ka për qëllim për të promovuar zhvillimin e qëndrueshëm përmes çrrënjosjes së varfërisë, avancimit të gruas, qeverisjes së mirë, sundimit të ligjit si dhe më shumë bashkëpunim efektiv për zhvillim.

Ministrja Hoxha, e vlerësoi Memorandumin si shumë të rëndësishëm, duke pasur përparim në shumë sfera të agjendës sociale të BE-së dhe reformat shtetërore në fushat ekonomike, politike dhe zhvillimore të cilat e drejtojnë Kosovën më afër familjes evropiane.

“Ne jemi përkushtuar me legjislacionin tonë që të punojmë më efektivisht në identifikimin e çështjeve dhe plotësimit të zbrazësive për të arritur objektivat e stabilizim asociimit. Kjo nënkupton punën tonë në përfshirjen më të madhe sociale dhe zhvillimin njerëzor në Kosovë, sikurse janë çështjet për rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në jetën publike dhe vendimmarrje; qasje në informacion; edukim cilësor; krijim të vendeve të punës, dialog dhe integrim ndërkulturor ndërmjet komuniteteve; respekt për të drejta të njeriut dhe sundim të ligjit”, theksoi Ministrja Hoxha.

Për të arritur këtë, theksoi Ministrja Hoxha, e kemi parë të nevojshme të prioritizojmë këtë vit edhe mbledhjen dhe dorëzimin e të dhënave për Monitorimit të Partneritetit global për Kosovën. Këto të dhëna janë në linjë me integrimin evropian dhe Agjendën 2030 për zhvillim të qëndrueshëm.

Sikurse është në Kushtetutë, ne jemi “të përkushtuar për krijimin e një shteti të qytetarëve të barabartë, i cili do të garantojë të drejtat e secilit qytetar, liritë qytetare dhe barazinë e të gjithë qytetarëve para ligjit, Të zotuar që Kosova të jetë shtet i mirëqenies ekonomike dhe i prosperitetit social”, theksoi Ministrja.

Duke u përqendruar në qëllime zhvillimore, ceku Ministrja Hoxha, ne jo vetëm që do të përmirësojmë jetën e secilit qytetar, por do të arrijmë më afër rrugës sonë evropiane dhe drejt pozicionimin më të mirë global të Kosovës.

Ndërsa Znj. Richardson, theksoi se nëpërmjet këtij Memorandumi, mbështet Ministrinë e Integrimit Evropian, në procesin integrues, duke u fokusuar në fusha me interes të përbashkët si zbatimi i MSA-së, Agjendën Evropiane të Reformave dhe reformat tjera të procesit integrues për një zhvillim të qëndrueshëm.

Ministrja Hoxha dhe Znj. Richardson vlerësuan lartë këtë memorandum, i cili fuqizon angazhimin e gjithanshëm të Kosovës për tejkalimin e sfidave në proceset integruese./Infosot/