Ministrja Hoxha kërkon të merren veprime për personat që përdorën dhunë javëve të fundit

E publikuar: 31/08/2016 15:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha priti në takim Drejtorin e Përgjithshëm të Radio Televizionit të Kosovës, Mentor Shala. Ministrja e Drejtësisë ftoi organet përgjegjëse të sundimit të ligjit të marrin veprime të shpejta që të gjithë akterët e veprave të dhunshme të javëve të fundit të përgjigjen para ligjit.

Në takim, Hoxha theksoi se krahas mandatit të saj në Ministrinë e Drejtësisë, do të vazhdojë bashkëpunimin dhe komunikimin e afërt me mediat, shoqërinë civile, dhe qytetarët.

Gjatë takimit, të dyja palët vlerësuan si tejet të rëndësishëm bashkëpunimin e deritanishëm në fusha të ndryshme, me theks të veçantë në fushën e informimit dhe komunikimit me qytetarët në lidhje me te drejtat e tyre, si dhe u dakorduan që të punohet edhe më tej në forcimin e bashkëpunimit edhe në forma më konkrete.

Posaçërisht, Ministrja theksoi se liria e shprehjes, pavarësia dhe mos cenimi i punës së mediave dhe përkrahja në punë, duhet të mbrohen dhe “ne si shtet jemi të vendosur ta ruajmë dhe kultivojmë një frymë të tillë”.

Njëherësh, të dyja palët u dakorduan që gjuha kërcënuese, urrejtëse dhe linçuese, duhet të ndalet dhe se klima e krijuar me pasiguri dhe rrezik për qytetarët duhet të dënohet. Me këtë rast, Ministrja e Drejtësisë ftoi organet përgjegjëse të sundimit të ligjit të marrin veprime të shpejta që të gjithë akterët e veprave të dhunshme të javëve të fundit të përgjigjen para ligjit, thuhet në komunikatën për media.