Ministrja Hoxha: Jemi përgjegjës për ngritjen e besimit të qytetarëve në drejtësi

E publikuar: 01/03/2017 17:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Sot, në Gjykatën Themelore në Prizren, qëndroi për vizitë Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha dhe me këtë rast u prit nga kryetari i kësaj gjykate, Ymer Hoxha.
“Bashkëpunimi ndërinstitucional në sektorin e drejtësisë, i kontribuon njohjes së ndërsjellë me sfidat aktuale dhe procesin për zgjidhjen e tyre”, theksoi Ministrja Hoxha dhe shtoi se përkushtimi ynë i gjithanshëm për fuqizimin e sundimit të ligjit, duhet të jetë mision i çdoditshëm, i çdo niveli institucional në sektorin e drejtësisë, thuhet në njoftimin ministror.

Ministrja Hoxha diskutoi për sistemin e drejtësisë, procesin e rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit, rëndësinë e procesit nëpër të cilin po kalon vendi duke theksuar se të gjithë duhet të jenë pjesë aktive e rishikimit funksional në ardhje. Përvojat e secilit përgjegjës gjatë zbatimit të ligjit janë të mirëseardhura, theksoi Ministrja, duke evidentuar mangësitë në sistem, si dhe duke kontribuar në evitimin e procedurave të panevojshme, promovimin e debatit dhe mbështetjen e vazhdueshme për nisma ligjore.

“Të gjithë jemi përgjegjës për ngritjen e besimit të qytetarëve në drejtësi”, theksoi Ministrja Hoxha dhe shtoi se kjo komponentë duhet të dëshmohet çdo ditë.

Kryetari i Gjykatës Themelore, Ymer Hoxha, theksoi se vizita thellon komunikimin ndërinstitucional, bashkëpunimin brenda sektorit të drejtësisë, njohjen me të arriturat dhe sfidat e Gjykatës Themelore në Prizren.

“Gjykata ka zvogëluar dukshëm numrin e lëndëve si civile ashtu edhe penale. Ne kemi arritur standardin e paraparë të nenit 6 të Konventës Ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut për një gjykim të shpejt, të drejtë, të paanshëm dhe të përfunduar në kohë të arsyeshme”, theksoi Ymer Hoxha, kryetari Gjykatës Themelore në Prizren.

Një prej elementeve të rëndësishme në funksionimin e mirë të sektorit të drejtësisë është bashkëpunimi me mediat dhe qytetarët duke shtuar kështu transparencën dhe llogaridhënien si dhe rritjen e kënaqshmërisë dhe besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë.