Ministria: S’ka ende konfirmim për koronavirus në Kosovë, mos të shkaktohet panikë

E publikuar: 13/03/2020 16:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Shëndetësisë ka lëshuar një tjetër njoftim sa i përket situatës me koronavirusin në Kosovë.

Ministria përmes kësaj komunikate ka thënë se deri më tani nuk ka asnjë rast të konfirmuar me këtë virus në vendin tonë, shkruan lajmi.net.

Ata po ashtu u kanë bërë thirrje mediave që të raportojnë sa më korrekt në këtë aspekt.

“Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje të gjitha mediave që të kenë konsideratë për ndjeshmërinë e situatës rreth Koronavirusit Covid-19 dhe të marrin gjatë raportimit të tyre për bazë vetëm informacionet e dhëna nga institucionet zyrtare të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

“Ju njoftojmë, se deri më tani, në Kosovë, nuk ka asnjë rast të konfirmuar të Koronavirusit Covid-19 në Kosovë”, është thënë në komunikatë.

Ministria po ashtu ka thënë se të gjitha rastet e dyshimta gjatë ditës së sotme, janë duke u testuar në Laboratorin e Mikrobiologjisë Humane në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, dhe janë duke u proceduar sikurse edhe rastet e ditëve të kaluara.

Me të përfunduar të testimit, publiku do të njoftohet zyrtarisht për rezultatet.