Ministria nuk përfill rezolutën e Kuvendit për dhunën në familje në ndryshimet për Kodin Penal

E publikuar: 22/04/2018 19:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dënim me gjobë dhe burgim deri në tri vjet parasheh Kodi i ri Penal i Kosovës për veprën penale dhunë në familje.

Por, Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës, i cili vazhdimisht ka insistuar që të ashpërsohen dënimet për këtë vepër, nuk është ndarë i kënaqur me këtë, raporton KTV.

Ariana Qosaj thotë se përfshirja e dënimit me gjobë ka nxitur frikë se vetëm ky dënim ose ai me kusht do të aplikohet.

Ajo nuk është ndarë e kënaqur as me përkufizimin e dy neneve të paragrafit 248 të Kodit Penal dhe me mospërfshirjen e dhunës seksuale si njëra nga format e shprehura, përmes së cilës mund të kryhet kjo vepër penale.

Në vend “të kushdo që e kryen dhunën”, Qosaj thotë të kenë propozuar të jetë “çdo anëtar i familjes”.

Dënime më të ashpra për kryesit e kësaj vepre penale ka kërkuar edhe Kuvendi i Kosovës, përmes një rezolute.

Deputetët që e iniciuan këtë rezolutë thonë se nuk do të rrinë duarkryq, por do të punojnë që rezoluta të gjejë zbatim.

Në Ministrinë e Drejtësisë thonë se ende ka mundësi për ndryshime të Kodit Penal, në komisionet parlamentare.

Ministria e Drejtësisë ka përfunduar draftimin e Kodit Penal këtë muaj dhe i njëjti fillimisht i është dorëzuar Qeverisë së Kosovës, e cila e ka proceduar në Kuvend.