Ministria e Mjedisit anulon Aktivitetin e Kontratës në vlerë 300 mijë euro

E publikuar: 16/11/2017 14:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ka marrë vendim që të anulojë aktivitetin e prokurimit të kontratës në vlerë prej 300 mijë euro për tri vite, kontratë kjo që ka të bëjë me kontraktimin e një kompanie me qëllim të përkrahjes së Marrëdhënieve me Publikun.

Sipas burimeve të Arbresh.info brenda Ministrisë, ky aktivitet prokurimi i filluar nga ish Ministri është anuluar pas kërkesës së Ministres Reshitaj, pasi që një aktivitet i tillë është i panevojshëm dhe detyrat për të cilat është kërkuar të kontraktohet kompania sipas rregullores së punës i takojnë Divizionit për Marrëdhënie me Publikun dhe Mediat.

Anulimi i këtij aktiviteti është bërë duke u bazuar në parimin e qeverisjes së mirë dhe ruajtjen e buxhetit të Kosovës në mënyrë që pas konsultimit me Qeverinë, Ministrinë e Financave të ri destinohen në shërbime të tjera që janë në përgjegjësi dhe brenda fushëveprimit të MMPH-së, thuhet në burimet brenda Ministrisë.

Arbresh.info ka arritur që të sigurojë edhe datën se kur për herë të parë është shpallë ky tender.

“Më 21/03/2017 është shpallë tenderi i parë, mirëpo më 04/05/2017 është anuluar për shkak që asnjëra kompani nuk i ka plotësuar kriteret (Mungesë e operatorëve ekonomik të përgjegjshëm). Aktiviteti është ri-tenderuar më 11/05/2014 ndërsa më 02/10/2017 është bërë pranimi i ofertave të kompanive dhe ka aplikuar vetëm një kompani”.

Anulimi i këtij aktiviteti që kap kontratën në vlerë prej 300 mijë euro është bërë sot në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik.

Pas marrjes të detyrës si Ministrja Reshitaj ka anuluar edhe një aktivitet tjetër në vlerë prej rreth 1.5 milion euro.