Ministria e Lekajt shkel ligjin për të mbrojtur ish-asistentin e Haradinajt

E publikuar: 07/01/2019 21:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil është institucion i pavarur kushtetues, por jo të gjitha institucionet respektojnë vendimet e tij.

Është muaji i katërt që ky institucion përpiqet të bëjë Ministrinë e Infrastrukturës që të respektoj vendimin për anulimin e konkursit për zëvendësdrejtor financiar në Agjencinë e Navigimit Ajror, raporton KTV.

Këtë vendim, për pozitën që e kishte fituar ish-asistenti i Ramush Haradinajt, Shpëtim Selamanj, KPMSHC-ja e kishte marrë pasi nuk arriti të kuptonte nëse ai i kishte plotësuar kriteret për këtë pozitë.

Por, Ligji për Këshillin obligon institucionet publike që gjatë konkursit të punësimeve, të jenë prezentë edhe anëtarët e Këshillit.

Drejtori i IKD-së, Ehat Miftaraj, ka thënë se ky rast tregon se si funksionojnë institucionet në Kosovë, të cilat zbatojnë direktiva politike e jo ligjore.

Këshilli e ka njoftuar Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës për shpërfilljen që Ministria i ka bërë këtij institucioni.

Kurse, në Kuvendin e Kosovës kanë thënë se janë duke e shqyrtuar rastin.

“Kuvendi është në pritje të shterjes së procedurave nga institucionet e tjera gjegjëse, konform nenit 23 të Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës”, thuhet në një përgjigje të shkruar të këtij institucioni.

Por, pika 6 dhe 7 e këtij neni të ligjit për Këshillin e Shërbimit Civil, i jep kompetencë Kryetarit të Kuvendit, që të kërkojë me shkrim nga kryeministri që të merren të gjitha veprimet për zbatimin e menjëhershëm të vendimit të Këshillit.

Sidoqoftë, ligji ua mundëson palëve të fillojë procedurën e përmbarimit të vendimit të Këshillit në gjykatën kompetente.

Por, edhe nëse Ministria e Infrastrukturës ka ushtruar padi për konflikt Administrativ, siç ka deklaruar, Pal Lekaj, vendimi i Këshillit është dashur të zbatohet.

Kjo obligohet me pikën 2 të nenin 22 të Ligjit për Këshillin e Shërbimit Civil, i cili gjithashtu thekson se vendimet e këtij institucioni janë të formës së prerë.

Këto vendime duhet të zbatohen brenda afatit 15 ditor nga dita e pranimit, që në rastin e zëvendësdrejtorit të ASHNA-s është dashur të zbatohet më së largu deri më 20 tetor 2018.

Tutje, ligji sqaron se moszbatimi i vendimit të Këshillit nga personi përgjegjës i institucionit, paraqet shkelje të rëndë të detyrave të punës.