Ministria e Infrastrukturës kundër taksës në Rrugën e Kombit

E publikuar: 14/09/2018 18:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Infrastrukturës është shprehur kundër vendosjes se taksës prej 5 euro nga Institucionet e Shqipërisë në Rrugën e Kombit.
Zëvendësministri i MI-së, Rexhep Kadriu, ka thënë për KALLXO.com se shuma e vënë nga shteti fqinj është e papërballueshme për qytetarët e Kosovës.

“Kemi shfaqë mospajtimin tonë me çmimin e atëhershëm dhe po ashtu duke kërkuar që të ulemi dhe të diskutojmë për zgjidhje alternative (më të buta dhe me të përballueshme) për qytetarët tonë. Ajo çka ndodhi tutje, përmes protestave (fillimisht paqësore e më pastaj edhe që eskaluan) bëri që të anulohet (përkohësisht) vendimi për ketë taksë dhe tani kur jemi disa ditë para rifillimit të mbledhjes së kësaj takse, mund të themi se sa i përket komunikimit dhe diskutimit për ketë çështje jemi sikur edhe me herët”, ka thënë ai.

Sipas tij, vendimi nga ana e Shqipërisë është i padrejtë dhe nëse vazhdon kjo shumë e taksës, sipas tij, bie ndesh më mundësitë ekonomike të kosovarëve.

“Ajo çka mund të themi përfundimisht është, që këto ulje e çmimit sipas numrit te qarkullimit, është diçka që pa e parë si do të implementohet, nuk mund ta interpretojmë, por nëse çmimi do të vazhdojë të jetë 5 euro për një drejtim për automjete të vogla dhe nga mbi 20 Euro për makina të mëdha, kjo bien ndeshë me mundësitë ekonomike të qytetarëve të Kosovës dhe vazhdojmë ta konsiderojmë të padrejtë, duke ripotencuar se është në dorën e institucioneve të shtetit shqiptarë, që të marrin vendime siç ata i vlerësojnë, si “më të drejta”, shtoi zëdhënësi i MI-së Kadriu.

KALLXO.com gjatë ditës së sotme ka raportuar se Ministria e Infrastrukturës po planifikon që edhe autostradat e ‘Ibrahim Rugova’ dhe ‘Arbën Xhaferi’ të bëhen me taksa.