Ministria e Financave tregon, se kur do të bëhen pagesat për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës

E publikuar: 27/09/2017 15:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Financave sqaron opinionin publik se sa i përket çështjes së afatit të verifikimit të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, në mbledhjen e Qeverisë të datës 23.09.2017, ministri i Financave Bedri Hamza ka deklaruar se afati prej 5 vjetësh që është paraparë për përmbylljen e këtij procesi, të shkurtohet dhe të bëhet në 5 muaj, raporton infosot.

Qëllimi i kërkesës së Ministrit të Financave Bedri Hamza ishte dhe është që viktimat e dhunës seksuale si kategoria më e ndjeshme e shoqërisë tonë në Kosovë, të përfitojnë sa më shpejtë pagesat ashtu siç parashihen edhe me ligj, me qenë se është kategoria e cila deri më tani nuk është trajtuar siç duhet dhe ende nuk kanë përfituar asnjë ndihmë nga shteti. Andaj, duke e trajtuar me seriozitet të madh si çështje ligjore dhe morale, ministri Bedri Hamza ka kërkuar gjithmonë me qëllim të mirë që ky proces të finalizohet sa më shpejt, mundësisht brenda një afati 5 mujor, me qëllim që kjo kategori ti përfitojë sa më shpejt që është e mundur pagesat ashtu siç edhe parashihet me ligj.

Kërkesa e ministrit Bedri Hamza për shkurtim të afatit të verifikimit, ka ardhur si rezultat i kërkesave të vazhdueshme të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, si dhe Shoqërisë Civile, që shteti të filloj të zbatojë legjislacionin në mënyrë që sa më shpejtë të përfitojnë pagesat kjo kategori.