Ministria e Financave: Kanë të drejtë mediet në “Pakon Emergjente Fiskale” nëse operojnë si biznese

E publikuar: 02/04/2020 15:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria në detyrë e Kosovës në fillim të javës miratoi Pakon Emergjente Fiskale përmes të cilës do të përkrahen të gjitha ato biznese që kanë vështirësi financiare, si pasojë e rënies së veprimtarive të tyre për shkak të përhapjes së pandemisë së Coronavirusit.

Në kuadër të këtij fondi, Ministria e Financave dhe Transfereve thotë se janë të përfshirë edhe mediet.

Sipas MFT-së, të gjitha ato medie që operojnë sikurse biznese mund të përfitojnë nga kjo pako.

“Pas miratimit të kësaj pakoje nga qeveria, Ministria e Financave dhe Transfereve është duke përgatitur sqarimet specifike për mundësitë e përfitimit/kompensimit për secilën prej masave. Ne si Ministri e Financave dhe Transfereve i marrim parasysh të gjitha kërkesat të cilat na vinë në Ministri dhe i shqyrtojmë ato me shumë seriozitet. Normal që këtu hynë edhe mediet të cilat operojnë si biznese në Kosovë sikurse edhe bizneset e tjera. Për të gjitha specifikat do të njoftohet i gjithë opinioni, përmes mjeteve të informimit”, thuhet në përgjigjen e MFT-së për Telegrafin.

Vlera totale financiare e kësaj pakoje është 179.65 milionë euro.

Autoritetet në Kosovë kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik, me qëllim të parandalimit të përhapjes së kësaj sëmundjeje.