Ministria e Arsimit paguan tre persona për të njëjtën pozitë

E publikuar: 20/06/2020 19:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Tash 4 muaj Ministria e Arsimit dhe Shkencës është duke paguar 3 persona për pozitën e sekretarit të përgjithshëm të këtij institucioni.

Kjo po i kushton MASH-it mbi 3 mijë euro në muaj.

Paga e një sekretari të përgjithshëm në Ministri është 1.171 dhe në bazë të përvojës shkon në mbi 1.200, raporton KTV.

Në shkurt të këtij viti Qeveria Kurti kishte vendosur që disa ministri t’i shkrinte në një, me ç’rast ajo e Arsimit dhe e Inovacionit janë bërë bashkë. Sekretarët e tyre kanë kaluar në lista tepricë për t’u sistemuar në pozita ekuivalente.

Por, që nga atëherë ish-sekretari i MASH-it, Ekrem Kastrati, dhe ai i Inovacionit, Hajriz Koci, nuk janë caktuar në pozita të tjera dhe vazhdojnë të paguhen sipas pozitave që i kanë pasur.

Meqë MASH-i, kishte mbetur pa sekretar, ish-ministrja e këtij institucioni, Hykmete Bajrami, e pati emëruar si ushtrues detyre të sekretarit të Ministrisë bashkëpartiakun e saj, Agim Bërdynën, duke e çuar në 3 numrin e personave që paguhen si sekretarë në MASH.

Sipas Arton Demasaj nga organizata “Çohu”, në Ministrinë e Arsimit është dashur të vazhdonte njëri nga dy ish-sekretarët e jo të emërohej edhe i treti, meqë, sipas tij, kështu po dëmtohet buxheti. Ai ka rekomanduar që Qeveria sa më parë të bëjë zgjidhje për të gjitha ministritë dhe duke i sistemuar në pozita ekuivalente ata që kanë mbetur në listën tepricë.

Ish-sekretari i Ministrisë së Inovacionit, Hajriz Koci dhe ai i Ministrisë së Arsimit, Ekrem Kastrati kanë thënë se janë në pritje që Qeveria të marrë një vendim për sistemimin e tyre. Që të dy e kanë konfirmuar se po vazhdojnë të paguhen më pagë të plotë.

“KOHA” ka kërkuar qëndrim nga Qeveria e Kosovës por e njëjta sugjeroi që përgjigjet të kërkohen nga MASH-it. E në këtë ministri përmes përgjigjes me shkrim kanë thënë se varet nga Qeveria nëse do ta lejojë këtë situatë apo do të marrë një vendim për këto pozita.