Ministri Vitia mesazh qytetarëve: Duroni deri në fund të prillit, kjo situatë nuk do të zgjasë më shumë

E publikuar: 08/04/2020 17:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri në detyrë i Shëndetësisë së Kosovës, Arben Vitia i kërkoi qytetarëve të tregojnë durim të paktën deri në fund të prillit në mënyrë që situata me Covid-19 të kalojë me sa më pak pasoja.

Vitia në një konferencë për media pas pranimit të një donacioni nga Turqia tha se është në dijeni që gjendja psikologjike e shumë qytetarëve mund të jetë e rënduar, mirëpo sipas tij, kjo situatë nuk do të zgjasë shumë dhe se është kruciale që masat dhe rekomandimet të respektohen nga qytetarët deri në fund të prillit,transmeton Reporteri.

“I kërkoj qytetarëve që të durojnë edhe prillin, deri në fund të prillit. Kjo situatë nuk do të zgjasë më shumë dhe tani është e domosdoshme që të respektohen të gjitha rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike që me sa më pak pasoja ta kalojmë këtë situatë”, tha ministri në detyrë.

“E gjithë kjo do të përfundojë shpejt, e gjithë kjo do të harrohet dhe është kruciale që në këto momente e deri në fund të këtij muaji t’i përmbahemi të gjithë së bashku të gjitha këtyre rekomandimeve”, tha Vitia.

Ai në pyetjen sa a është arritur piku i epidemisë tha “Natyrisht nuk jam epidemiolog dhe çdo prononcim i imi nuk bëhet pa konsultuar paraprakisht IKSHP dhe ekspertët e fushës. Kemi Komitetin për koordinim dhe vlerësimin e situatës me Covid-19 dhe të gjitha idetë e rekomandimet e profesionistëve merren parasysh dhe pastaj merren veprime. Deri tani është një opinion mes profesionistëve se është menaxhuar mirë situata dhe jemi më mirë sesa që kemi pritur… rekomandimet e IKSHP-së dhe profesionistëve të fushës është që të vazhdohet me këto masa dhe me disa shtesë”.
Vitia u bëri apel qytetarëve që t’i respektojnë të gjitha masat e Qeverisë dhe rekomandimet e institucioneve shëndetësore.

“Të gjitha masat e rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë do të jenë të kota nëse bashkëqytetarët nuk i kemi si pjesëmarrës në këto masa. Ju lutem qëndroni në shtëpi dhe keni durim, së paku deri në fund të këtij muaji t’i respektoni të gjitha masat që janë marrë nga qeveria dhe rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit….qëndroni në shtëpi, mbajeni distancën, pastroni duart sepse e tëra është për të mirën e shëndetit familjar e publik”, tha ministri Vitia.