Ministri Valon Murati viziton bizneset nga diaspora

E publikuar: 06/10/2015 20:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Diasporës, z. Valon Murati ka filluar javën e vizitave në bizneset e suksesshme të cilat nga diaspora kanë sjellë projekte të mëdha investive në Kosovë.

Sot, ministri Murati vizitoi tri kompani të ndryshme, dhe atë, RELUX – kompani për prodhimin e ngjyrave, pronari i së cilës prezantoi edhe planet për hapjen e dy fabrikave të reja për prodhimin dhe eksportin e stiroporit dhe dyerve e dritareve në partneritet me investitorë zviceran, kompaninë 3CIS – kompani kjo udhëheqëse në ofrimin e shërbimeve të specializuara në fushën e telekomit e ndër klientët më të njohur emërohen Vodafone, AT&T, CISCO e gjigantë të tjerë të telekomunikacionit, si dhe kompaninë “the Social Plus” investim i ri po ashtu në fushën e teknologjisë informative i sjellë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e që kryen shërbime të ndryshme për kompani të mëdha ndërkombëtare.

Displaying Ministri Murati - the social one.jpg

Gjatë këtyre vizitave, ministri Murati u njoftua për së afërmi me fushë veprimtarinë e tyre, si dhe i njoftoi për përpjekjet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Diasporës që të ofrohen kushte sa më të mira për investimet që vijnë nga diaspora jonë.

“Është e nevojshme që të ketë një organizim sa më të mirë të prodhuesve në Kosovë, ashtu që të propozohen politika më të mira vis-a-vis qeverisë për fuqizimin e prodhimit vendor. Ministria e Diasporës, udhëheq me grupin punues për tërheqjen e investimeve nga Diaspora, mekanizëm ky në kuadër të Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, që paraqet një mundësi për të gjitha kompanitë që të shprehin problemet me të cilat ballafaqohen gjatë të bërit biznes si dhe propozimet e tyre për përmirësimin e legjislacionit aktual ashtu që të trasohet rruga drejt fuqizimit të bizneseve aktuale dhe tërheqjes së investimeve akoma më të mëdha”, tha ministri Murati.

Drejtuesit e të tri kompanive u shprehën të kënaqur me vizitën e ministrit Murati, duke u zotuar se do të jenë partner të Ministrisë në adresimin si të problemeve ashtu edhe të ideve në realizimin e objektivave afatgjate. Ditëve në vazhdim, ministri Murati do të vizitojë edhe biznese të tjera në komuna të ndryshme të Kosovës.

Displaying Ministri Murati - 3CIS.jpg