Ministri Tahiri është pritur në takim nga i pari i drejtësisë në SHBA, Jeff Sessions

E publikuar: 03/11/2018 15:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, është pritur në takim nga i pari i drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Prokurori i Përgjithshëm z. Jeff Sessions.
Në takim e mbajtur në Departamentin e Drejtësisë, Ministri Tahiri ka shprehur konsideratë të lartë për angazhimin dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Republikës së Kosovës dhe në veçanti për sektorin e sundimit të ligjit, thuhet në njoftimin e MD-së.

Ministri Tahiri ka shprehur gatishmërinë e institucioneve të rendit dhe ligjit në Republikën e Kosovës për të vazhduar në mënyrë të fuqishme dhe me efikasitet luftën kundër terrorizmit, trafikimit, narkotikëve dhe pastrimit të parave.

Ministri Tahiri ka vlerësuar se mbështetja që Departamenti i Drejtësisë është duke i dhënë Kosovës dhe veçmas sektorit të sundimit të ligjit, ka mundësuar që autoritetet kosovare të radhiten përkrah forcave më efikase në botë në parandalimin dhe luftimin e terrorizmit, njëkohësisht duke e bërë Kosovën një strehë të pasigurt për krimin e organizuar dhe trafikimin e narkotikëve.

Ministri Tahiri ka falënderuar Prokurorin e Përgjithshëm Sessions, për ndihmën që Departamenti i Drejtësisë është duke dhënë përmes programeve të OPDAT-it dhe ICITAP-it si dy komponente të rëndësishme në funksion të politikave legjislative dhe programore që mundësojnë fuqizimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe parandalimit dhe luftimit të terrorizmit.