Ministri Shala dhe kryetari Begaj përurojnë inkubatorin e bizneseve në Malishevë

E publikuar: 02/06/2019 22:59
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, bashkë me kryetarin e Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, kanë prerë shiritin për nisjen e punimeve në Inkubatorin e Bizneseve në këtë komunë, që është investim i ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.
Ministri Shala tha se do të krijohet një hapësirë prej 600 metra katror për bizneset e vogla, që të operojnë dhe do të kontribuojnë në rritjen e punësimit.
“Ishim bashkë për t’i parë punimet që janë duke u zhvilluar në inkubatorin e biznesit në Komunën e Malishevës, investim ky i realizuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ku do të krijohet një inkubator biznesi i cili do të krijon një hapësirë mbi 600 metra katrorë për bizneset e reja të komunës së Malishevës. Krejt kjo me qëllim që bizneset tona në Republikën e Kosovës në këtë rast komuna e Malishevës t’iu krijojmë mundësi, njëkohësisht Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është edhe shumë shpejt edhe në investime infrastrukturës së zonës ekonomike në komunën e Malishevës”, tha ministri Shala.
Shala siguroi kryetarin Begaj se kjo komunë nuk do të anashkalohet më nga pushteti qendror, por do të ketë edhe investime tjera.
“Unë dua ta siguroj kryetarin e komunës së Malishevës, deputetët e zonës dhe gjithë banorët e komunës së Malishevës për përkushtimin tim personal si ministër, por edhe qeverisë së Republikës së Kosovës që këtë komunë tash e tutje të mos jetë si ‘zorre qorre’ siç është trajtuar së fundi por ashtu si gjitha komunat tjera të Republikës së Kosovës edhe komuna e Malishevës të investohet në të dhe të krijohet mundësi për bizneset”, tha ministri Shala.
Ndërsa kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, tha se ky inkubator do t’iu shërbej bizneseve të vogla të kenë kushte sa më të mira për të funksionuar.
“Do të jetë një vend ku do të jenë bizneset e Malishevës, do të kenë kushte më të mira për veprim do të jetë edhe një ndihmë për neve si komunë. Njëkohësisht edhe zona ekonomike është një derë e hapur e zhvillimit të Malishevës, kjo si të një arterie e cila do ta ndihmojë Malishevën, bizneset e diasporës”, tha Begaj.
Në nisjen e punimeve të këtij inkubatori morën pjesë edhe deputetët Haxhi Shala dhe Enver Hoti, zëvendësministrat Arbëreshë Krasniqi dhe Vesel Krasniqi.