Zbardhen kërkesat e Sindikatës së Policisë ndaj Ministrit Sefaj

E publikuar: 12/10/2017 15:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Punëve të Brendshme, z. Flamur Sefaj ka pritur në takim Kryetaren e Sindikatës së Policisë së Kosovës, znj. Valbona Kamberi Hoxha me bashkëpunëtorët, të cilët e uruan për detyrën, duke i ofruar bashkëpunim sa i përket pjesës sindikale të policisë, shkruan infosot.

Me këtë rast ministri Sefaj vuri në dukje së është e rëndësishme që në kuadër të ngritjes së kapaciteteve të Policisë së Kosovës, të koordinohet edhe bashkëpunimi me përfaqësuesit social të policisë, të cilët vazhdimisht angazhohen në përmirësimin e kushteve për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Në këtë takim, anëtarët e Sindikatës së Policisë e njoftuan ministrin Sefaj me sfidat që e presin Policinë e Kosovës dhe vunë në pah kërkesat e tyre, që kanë të bëjnë me sigurimet shëndetësore, si dhe Ligjin për Pensionimin ezyrtarëve policor të Kosovës.

Me këtë rast ministri Sefaj shprehu gatishmërinë e tij për përmirësimin e kushteve për pjesëtarët e policisë dhe theksoi se tashmë ligji për pensionimin e zyrtarëve policor është në fazat e fundit të tij, para se të dërgohet në qeveri dhe kuvend.