Ministri Rrustem Berisha priti në takim ambasadorin e Kanadasë Daniel Maksymiuk

E publikuar: 07/12/2018 15:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, z. Rrustem Berisha, priti sot në takim ambasadorin fuqiplotë të Kanadasë në Prishtinë, z. Daniel Maksymiuk.

Në takimin e përbashkët të ministrit Berisha dhe diplomati kanadezë Maksymiuk u bisedua për marrëdhëniet e mira ndërmjet dy shteteve dhe ndërmjet Ministrisë së FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Kanadasë.

Ministri Berisha e falënderoi ambasadorin e Maksymiuk për mbështetjen e vazhdueshme që Kanadaja po jep për Kosovën, si dhe e njoftoi atë, me zhvillimet e fundit për tranzicionin e FSK-së dhe miratimin e Ligjeve që pritet të bëhen më 14 dhjetor nga Kuvendi i Kosovës. “Jemi në pritje të leximit të dytë në Kuvend, të Ligjeve për FSK-në, dhe presim që të njëjtat të kalojnë me votat e të gjithë deputetëve të të gjitha komuniteteve në Kuvend. Është e drejtë e jona si shtet i pavarur dhe sovran të kemi Ushtrinë tonë, me kapacitete mbrojtëse dhe në partneritet me aleatët tanë dhe NATO-n”- tha ministri Berisha.

Ai gjithashtu e ka njoftuar ambasadorin me mandatin e ri të Forcës për Sigurinë e Kosovës, duke shtuar se: „Mandati i ri i FSK-së, do të ruaj karakterin profesional, me mision mbrojtës. Një Forcë e hapur për të gjithë qytetarët dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Ne jemi zotuar se rajoni do të ketë edhe një forcë aleate, të ndërveprueshme me aleatët dhe në shërbim të krijimit dhe ruajtjes së paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në rajon dhe me gjerë, jo vetëm konsumues por edhe ofrues të paqes”. ka shtuar në fund ministri Berisha.

Nga ana e tij, ambasadori i Kanadasë në Prishtinë, z. Daniel Maksymiuk e ka falënderuar ministrin Berisha për pritjen, si dhe e ka përgëzuar për punën dhe arritjet e përgjithshme të FSK-së. Ai ka shprehur bindjen se edhe më tutje do të vazhdojë bashkëpunimi mes dy shteteve mike. „Kanadaja është shtet mik i Kosovës dhe do të vazhdojë me përkrahjen e vazhdueshme për Kosovën” tha në fund, ambasadori Daniel Maksymiuk./Infosot/