Ministri Lekaj nuk jep datë për hapjen e rrugës Kaçanik-Han i Elezit

E publikuar: 26/05/2018 15:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ishte bllokuar më 8 maj për shkak të rrezikut për shembjen e dheut, e ndërkohë rruga Kaçanik-Han i Elezit po vazhdon të mbetet e mbyllur.
Për këtë shkak para disa ditës banorët e Kaçanikut dhe të Hanit të Elezit kishin protestuar, pasi po detyrohen të zgjedhin rrugët alternative.

Zv/ministri i Infrastrukturës, Rexhep Kadriu sot kishte thënë se kjo rrugë do të hapet për pesë ditë, duke aluduar në fillimin e muajit qershor.

Por për dallim nga zv/ministri Kadriu, ministri i Infrastrukturës është treguar më i kujdesshëm me dhënien e afateve për hapjen e kësaj rruge.

Pal Lekaj në një deklaratë të shkurtër për lajmi.net ka thënë se çdo ditë po i inspekton punimet në atë zonë.

Mirëpo Lekaj nuk ka dhënë ndonjë datë, edhe pse ka paralajmëruar se do të ketë “befasi për të mirë”.

“Unë personalisht jam duke inspektuar çdo ditë punimet dhe po insistojmë që rruga të hapet në afat sa më të shpejt kohor, nuk kemi ende ndonjë datë por do ju befasojmë për të mire”, ka thënë Lekaj për lajmi.net.

Vetë Lekaj pas protestave që ishin mbajtur, kishte reaguar me një sqarim në rrjetin social facebook.

Ministri kishte thënë se për këtë çështje është në njohuri edhe kryeministri, duke theksuar se rruga nuk është bllokuar për teke personale.

“E kam theksuar e po e ritheksoi përseri, vendimi që të ndalohet lëvizja në rrugën Kaçanik – Hani i Elezit nuk është marrë për teke përsonale, por pasë vlerësimeve të ekspertëve se çdo ditë e më shumë përbën rrezik dhe rrjedhimisht duhet të veprohet që të ruhet jeta e qytetarëve e më së shumti e njerëzve të Kaçanikut, të Elez Hanit e pastaj për të gjithë të tjerët që e frekuentojnë atë segment”, kishte thënë Lekaj.

Ndryshe, pikërisht në rrugën e bllokuar Kaçanik – Han i Elezit kishte ndodhur aksidenti ku kishin humbur jetën dy policët, Armend Trena dhe Malsor Dashi. /Lajmi.net/