Ministri Ismaili: Stentimi tani bëhet në kohë dhe pa shpenzuar mija euro

E publikuar: 21/07/2018 16:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Stentimi viteve të kaluara ka qenë njëri nga problemet më të mëdha për qytetarët e Kosovës, sidomos kur vinin në shprehje pritjet me muaj të tërë dhe shpenzimet e mëdha.
Por me këtë problem nuk do të përballen tashmë qytetarët të cilët i drejtohen Klinikës së Kardiologjisë në QKUK.

Kjo sepse pas 5 muajsh punë, tashmë janë hequr në tërësi listat e pritjes për stentim.Në një intervistë për “Indeksonline” ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili është shprehur se me këtë hap të ndërmarrë, qytetarët do të pranojnë shërbime më të mira në QKUK dhe do tu kursej me mijëra euro, duke shmangur nevojën për spitalet private. Ismaili ka shtuar se shumë shpejt do të hiqen listat edhe për koronografi dhe operime në zemër, e duke mos harruar edhe listat e pritjeve edhe nëpër klinikat e tjera të QKUK-së.Për shumë vite pacientët janë sfiduar me listat e pritjes, kurse prej tash këto do të eliminohen tërësisht për stenta dhe koronarografi.

Si e konsideroni këtë hap të ndërmarrë?Uran Ismaili: Nëse deri para disa muajve dikush nga qytetarët tanë ka pasur nevojë për stentim në QKUK, atij i kanë ndodhur dy gjëra. E para, i është thënë të pritet me muaj, e dikush me ato probleme dihet se çfarë pasoja mund të kishte gjatë asaj pritjeje. Dhe e dyta, do të paguante me mijëra euro, duke e thelluar krizën e ekonomisë së tij familjare. Në të dy variantet, qytetari ynë, taksapaguesi i këtij vendi, nuk do të trajtohej me dinjitet në spitalet tona publike dhe t’i bëhej një padrejtësi. Sot, për të njëjtin qytetar, kemi hapur një mundësi të tretë. Atë të ofrimit të shërbimit në kohë dhe pa shpenzuar mijëra euro. Para 7-8 muajve po t’i thoshim dikujt se dëshirojmë ta arrijmë këtë, nuk do ta besonte, mirëpo ne nuk jemi ndalur dhe ja ku jemi.Sot kemi një shërbim 24-orësh për trajtimin e zemrës dhe stentim, pa listë të pritjes dhe shërbim cilësor.

Ky është vizioni ynë. Të krijomë një sistem shëndetësor pa lista të pritjes.A kryhen të gjitha intervenimet në lidhje me problemet në zemër në QKUK, duke mos lënë nevojën kështu që të frekuentohen spitalet private?Uran Ismaili: Po, të gjitha intervenimet që kanë të bëjnë me sëmundjet e zemrës, nga 5 shkurti i këtij viti, mund të bëhen 24 orë në 7 ditë të javës në QKUK. Më lejoni që të ju tregoj vetëm disa nga efektet e shërbimit 24 orësh në Klinikën e Kardiokirurgjisë me Kardiologji Invazive. Gjatë këtyre pesë muajve, mbi 700 stentime, të cilat nëse do të bëheshin në spitalet private, qytetarëve tanë do t’u kushtonin rreth 3 milionë euro. Këto shërbime kanë bërë që të zvogëlohen shumë edhe listat e pritjes për koronarografi dhe intervenim kirurgjik në zemër. Deri në fund të këtij viti, me ardhjen e angiografit të ri dhe blerjen e pajisjeve të reja që do ta bëjmë, edhe këto dy lista do të hiqen, transmeton Lajmi.net.

Nëse rasti nuk është emergjent, për sa kohë përafërsisht do ta marrin trajtimin e duhur pacientët?Uran Ismaili: Nuk do të ketë më pritje. Pacientit do t’i caktohet menjëherë data e saktë se kur mund ta bëjë stentimin dhe kjo do të jetë brenda një kohe optimale.  Me eliminimin e listës së pritjeve, a mendoni se do të shtohet numri i pacientëve në këtë klinikë pasi që do të braktisen spitalet private? Uran Ismaili: E rëndësishme është që ne kemi krijuar kushte dhe sistem, i cili do të jetë në gjendje që të përballojë dhe të trajtojë të gjitha nevojat e qytetarëve tanë. Ky ka qenë qëllimi im. Që të krijojmë një shërbim i cili u përgjigjet qytetarëve në çdo kohë, dhe ua kthen dinjitetin edhe mjekëve të cilët do të fillojnë të respektohen më shumë edhe nga vetë qytetarët pas ofrimit të këtyre shërbimeve.Kur pritet të hiqet lista e pritjeve edhe në klinikat tjera të QKUK-së?Uran Ismaili: Heqja e listave të pritjes nëpër klinikat dhe spitalet tona do të jetë angazhimi ynë i përditshëm gjatë këtij mandati. E kemi filluar me heqjen e listave për stentim, presim ta bëjmë për koronarografi dhe operime në zemër, e të vazhdojmë me klinikat tjera. Së shpejti do ta hapim edhe objektin e ri për ambulancat e reja specialistike, të cilat do t’i zhdukin pamjet e tmerrshme që kemi parë për vite me radhë të qytetarëve tanë, duke pritur nëpër bodrumet e spitaleve tona. Prandaj, dekada e re e shtetit tonë do të rezultojë me investime dhe përmirësime në sektorin e shëndetësisë, të cilat do të prekin të gjithë qytetarët pa dallime.