Ministri i Jashtëm i Sllovenisë demanton gazetat serbe: Nuk e heqim njohjen për Kosovën

E publikuar: 20/03/2019 14:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri slloven i Punëve të Jashtme, Miro Cerar, ka thënë se Sllovenia nuk ka ndërmend ta heq njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke demantuar kështu raportimet e mediave serbe.

Në pyetjen nëse qeveria sllovene do të heqë dorë nga njohja e Kosovës, pyetje të cilën ia parashtroi në seancën parlamentare kryesuesi i Partisë Nacionale Sllovene, Zmago Jelinçiq, shefi i diplomacisë sllovene tha se qëllime të këtilla nuk ekzistojnë.

“Mendoj se kemi pasur bazë që Kosovën e kemi njohur si shtet”, ka thënë Cerar, dhe ka shtuar se Sllovenia është e vetëdijshme që në këtë hapësirë megjithatë ekzistojnë “disa çështje të hapura”, transmeton agjencia kroate e lajmeve “Hina”.

Sikurse edhe shumica e shteteve anëtare të BE-së, Sllovenia e njohu pavarësinë e Kosovës në pjesën e parë të vitit 2008, në kohën kur ky shtet po kryesonte presidencën gjashtëmujore të BE-së.

Në pyetjen e deputetit të Partisë Demokratike, pensionisti Ivan Hrshak, se cili është qëndrimi i Sllovenisë në lidhje me ngjarjet në Serbi, për protestat opozitare kundër presidentit serb Aleksandar Vuçiq, Cerar tha se Sllovenia me kujdes po e përcjell gjendjen dhe se është e shqetësuar.

Ditë më parë, mediat në Serbi raportuan se deputeti slloven dhe nënkryetari i Partisë Kombëtare sllovene, Jani Ivanush, mendon se çnjohja e Kosovës është proces real edhe në kuadër të Bashkimit Evropian./Express/