Ministri i drejtësisë pret vlerësim pozitiv nga BE për luftimin e korrupsionit

E publikuar: 02/05/2018 09:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri është shprehur i sigurt se Kosova do të marrë vlerësim pozitiv nga delegacioni i Bashkimit Evropian për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, që është kriteri i fundit për liberalizimin e vizave.

Ministri Tahiri në një intervistë për gazetën “Zëri” ka thënë se delegacioni teknik i BE-së, që vjen këtë javë në Kosovë do të japë vlerësim pozitiv, pasi sipas tij, institucionet e Kosovës janë duke bërë punë të mirë për zbatimin e rekomandimit të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Tahiri ka thënë se pas kalimit të Demarkacionit në Kuvendin e Kosovës, kriter i fundit për vlerësim është “track record”-i në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Prandaj ky ekip teknik nga Komisioni Evropian do ta vlerësojë progresin e bërë me qëllim që të vlerësohet Kosova se a i plotëson kriteret për marrjen e rekomandimit për liberalizimin e vizave. Duke qenë se është ekip teknik, vlerësimi i tyre, si dhe i Komisionit Evropian do të ketë qasje rekomanduese, pastaj u mbetet vendeve anëtare një nga një ta determinojnë dhënien apo mosdhënien e liberalizimit të vizave”, është shprehur Tahiri./insajderi/