Ministri i Bujqësisë merr vendime të reja drejt përshpejtimit të pagesave të granteve

E publikuar: 16/06/2020 12:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa pas lehtësimit të masave mbi menaxhimin e COVID-19, përmes dy vendimeve të reja të cilat hyjnë në fuqi me datë 22.06.2020 (e hënë), inkurajon fermerët dhe agro-përpunuesit që të vazhdojnë me punën e tyre të pandalshme në implementimin e projekteve të granteve.

Në këtë drejtim, janë shfuqizuar dy vendime pezulluese, me qëllim që përfituesit e granteve të përfitojnë pagesat e tyre sa më parë:
Vendimi Nr. 66/20 i datës 16 mars 2020 për pezullimin e përkohshëm të afateve për implementimin e projekteve përfituese të granteve të vitit 2019.

Me shfuqizimin e vendimit në fjalë, obligohen të gjithë fermerët përfitues të projekteve të Programit të Zhvillimit Rural 2019, t’u përmbahen afateve procedurale të përcaktuara sipas Udhëzimit Administrativ (MBPZHR) me Nr.16/2019 për Masat dhe Kriteret e Përkrahjes për Zhvillim Rural për vitin 2019, të datës 21.05.2019.

Vendimi Nr. 72/20 i datës 23 mars 2020 që ndërlidhet me shtyrjen e afateve procedurale për marrjen e lejeve dhe licencave, lidhur me fushën e Hortikulturës, Produkteve për Mbrojtjen e Bimëve, Plehrave, Mbrojtjes së Bimëve, Farërave, Blegtorisë, Pylltarisë, Verëtarisë dhe Shërbimeve Këshilluese për Bujqësi./FrontOnline/