Ministri i Brendshëm paralajmëron masa ligjore për këdo që shpërndan lajme të rreme

E publikuar: 15/03/2020 16:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Agim Veliu po paralajmëron masa ligjore ndaj të gjithë atyre personave që shpërndajnë lajme të rrejshme në kohën kur Kosova po e lufton pandeminë covid-19, apo sic njihet ndryshe koronavirusin.

Ky është postimi i plotë i Veliut:

Qytetarë të nderuar, KUJDES!!!

Në këto ditë që po kalon shteti ynë dhe bota në përgjithësi, në luftën kundër pandemisë COVID-19, persona të papërgjegjshëm, me qëllim, janë duke propaganduar dhe dezinformuar me lajme të rreme dhe të orkestruara, duke u munduar të shkaktojnë panik në popullatë.

U bëjë thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, që t’i verifikojnë të gjitha lajmet që i lexojnë, dhe mos të bien pre e këtyre dezinformatave dhe propagandës.

Ndërsa PROPAGANDUESIT dhe DEZINFORMUESIT i paralajmërojmë se, institucionet e sigurisë janë duke monitoruar vazhdimisht situatën dhe se ata do të identifikohen, dhe do të përgjigjen para ligjit për veprimet e tyre.