Ministri i Brendshëm i Serbisë: Albin Kurti nuk mund ta shpërfillë Listën Serbe

E publikuar: 09/10/2019 16:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, akuzoi partitë politike që morën mbështetjen e popullit shqiptar në zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë, se po vazhdojnë politikën e mosrespektimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe po tregojnë se nuk dëshirojnë të bisedohet.

Duke komentuar para gazetarëve në Beograd deklaratën e Albin Kurtit, se nuk dëshiron të bisedojë me Listën Serbe meqë nuk e pranon pavarësinë e Kosovës, ai tha se nuk është legjitime që dikush të shpërfillë vullnetin e popullit serb në këtë mënyrë.

“Lista Serbe më shumë se bindshëm ka konfirmuar se është përfaqësuese absolute e serbëve të Kosovës. Nuk mundet që vullneti i popullit serb të shpërfillet duke thënë se nuk dëshironi të bisedoni me njerëzit që kanë legjitimitet për të biseduar dhe të gjejë disa serbë të tjerë që nuk kanë mbështetje”, është shprehur Stefanoviq para gazetarëve, duke hapur një konferencë mbi sigurinë kombëtare në Serbi.

“Serbia do të vazhdojë të luftojë për popullin”, ka thënë ai. Siç është shprehur Stefanoviq, “Do të luftojmë për serbët e Kosovës, sepse ata janë të rrezikuar, janë ata që jetojnë si qytetarë të rendit të dytë, e kemi pasur rastin ta shohim këtë jo vetëm gjatë këtij procesi zgjedhor, por edhe gjatë gjithë viteve të shkuara, dhe ne duhet të tregojmë çfarë po ndodh”, përcjell Koha.net raportimin e mediave serbe.