Ministri Hoti priti në takim drejtorët e Konstituencës për Kosovë në BERZH

E publikuar: 14/07/2015 17:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Financave Avdullah Hoti ka pritur sot në vizitë drejtorët e Konstituencës për Kosovë në Bankën për Zhvillim dhe Rindërtim (BERZH) z.Ove Jensen dhe z. Sean Donlon.
Ministri i Financave Avdullah Hoti dhe drejtorët e Konstituencës për Kosovë në BERZH diskutuan rreth financimit të projekteve në sektorin e hekurudhës, ku u bë e ditur se është shumë afër përfundimit të negociatave për nënshkrimin e Marrëveshjes së kredisë për rehabilitimin e linjës hekurudhore 10.
Ministri Avdullah Hoti bëri të ditur se fondet nga BE-ja që janë vënë në dispozicion për projektet hekurudhore na ka mundësuar për të punuar më tej në rehabilitimin e një pjesë të mirë të rrjetit hekurudhor në Kosovë, kështu që presim gjithashtu fillimin e rehabilitimit të linjës hekurudhore Lindje-Perëndim, segmenti Fushë Kosovë – Merdare dhe Klinë – Prizren.
Në takim u diskutua edhe për mundësinë e financimit të sektorit të energjisë, rehabilitimin e rrugëve rajonale, si dhe për lëshimin e garancionit për trafikun urban në Komunën e Prishtinës.
Me këtë rast ministri Hoti bëri të ditur se Qeveria e Kosovës sapo ka marrë vendimin për të filluar negociatat për marrëveshjen e kredisë që do të ndihmojë në reformimin e transportit publik për komunën e Prishtinës, ku pritet që në ditët e ardhshme të themelohet edhe ekipi negociatorë dhe të vazhdohet me hapat e ardhshëm.
Në anën tjetër drejtorët e Konstituencës për Kosovë në BERZH z.Ove Jensen dhe z.Sean Donlon shprehën përkushtimin e tyre për të ndihmuar Kosovën në realizimin e projekteve të cilat ndikojnë në zhvillimin ekonomik të Kosovës, sidomos mbështetjen e projekteve në sektorin privat.