Ministri Gjerman: Një mbyllje tjetër e kufijve në BE, vetëm me votë

E publikuar: 27/06/2020 16:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas nuk e ka përjashtuar mundësinë që disa kufij në Europë të mbyllen përsëri për shkak të koronavirusit.

Sipas agjencisë gjermane të lajmeve, DPA, Maas ka thënë se nuk e përjashton mundësinë që disa kufij në Europë të mbyllen përsëri në rast të një rritjeje të madhe të infeksioneve të Covid, por ai theksoi se vendimi për këtë duhet të merret përmes votimit.

“Nuk mund të përjashtohet mundësia që kufijtë të mbyllen përsëri nëse infeksionet në ndonjë rajon të BE-së janë dukshëm më të larta se në një tjetër vend”, tha Maas duke shtuar se një veprim i tillë do të duhet të koordinohet në të gjithë Europën.

“Europa ka mësuar shumë nga kjo krizë, jo vetëm përmes mungesave tona, por edhe përmes pikave tona të forta. “Ne kemi përmirësuar koordinimin tonë dhe i kemi siguruar solidaritet njëri-tjetrit me një ritëm dhe dimension që nuk është parë kurrë më parë”, u shpreh Mass.

Kujtojmë se Gjermania merr në 1 Korrik presidencën e Këshillit të Bashkimit Europian, të cilën do e mbajë për një periudhë 6 mujore.

Maas tha se pritshmëritë e 26 vendeve anëtare janë shumë të larta kjo presidencë e Gjermanisë. ‘Ne na duhet ta nxjerrim BE-në nga kriza në një pozitë edhe më të fortë,’ tha Maas