Ministri Gashi: Uroj që filmi ‘Në mes’ të arrijë ndonjë çmim në ‘Berlinale’

E publikuar: 04/02/2019 13:54
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në zyrat e reja të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, të hapura në Prizren, ministri Kujtim Gashi ka pritur në takim regjisorin e filmit “Ne Mes” z. Samir Karahodaj dhe Eroll Bilibani producent i filmit, i cili do të jetë pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Filmave të shkurtë “Berlinale Shorts”.

Ministri Gashi me autorin Karahodaj dhe producentin Bilibani, bisedoi në lidhje me pjesëmarrjen e Kosovës në Festivalin e Filmit në Berlin, dhe e konsideruan se ky është prezantim më i mirë i shtetit të Kosovës, ku përmes artit filmik prezantohet jo vetëm kultura e vendit por edhe realiteti në të cilin jeton shoqëria në Republikën e Kosovës.

“Është një arritje dhe sukses i jashtëzakonshëm i Kosovës që të marrë pjesë me një projekt filmik në një festival prestigjioz siç është ‘Berlinale’ dhe si MKRS jemi shumë të lumtur që kemi përkrahur këtë film i cili do të na përfaqësojë si Kosovë dhe uroj që mos të kthehemi pa ndonjë çmim nga Gjermania”, tha mes tjerash ministri Kujtim Gashi.

Ministri tha se MKRS-ja ka rritur ndjeshëm buxhetin për Qendrën Kinematografike të Kosovës i cili është institucioni kryesor në vendin tonë i cili përkrah prodhimin e filmit në Kosovë. “Me pjesëmarrjen e filmave që janë krijim dhe prodhim i Kosovës nëpër festivalet më prestigjioze në botë, fakton se artistët nga Kosova kanë potencial dhe tashmë është ndërtuar një traditë cilësore në fushën e filmit tek ne”, shtoi tutje ministri.

Ministri Gashi i njoftoi mysafirët se përkrahja për projektet kulturore është rritur dhe tani MKRS ndodhet në procesin e vlerësimit të projekteve për këtë vit dhe shumë shpejtë do të bëhen publike rezultatet. E në kuadër të kësaj, MKRS-ja, çdo vit ka mbështetur financiarisht Dokufestin si një ndër ngjarjet më të rëndësishme kulturore jo vetëm në vend por edhe në rajon, u shpreh ministri.

Ndërkaq, autori i filmit, Samir Karahodaj shprehi falenderim për mbështetjen të cilin i ka ofruar ministri Gashi në projektin e tij, duke theksuar se ndjehet tepër i lumtur që Kosova përmes filmit të tij do të përfaqësohet për herë të parë në garën ndërkombëtare të filmave shkurtë “ Berlinanle Shorts”. “Përzemërsisht dua të falënderoj secilën protagonist pa të cilët ky film nuk do bëhej i mundur”, u shpreh Karahodaj.