Ministri i Financave dhe Oda Amerikane konfirmojnë përkushtimin për bashkëpunim

E publikuar: 03/11/2017 12:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Financave mbetet e përkushtuar për bashkëpunim të afërt me Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë me qëllim të avancimit të mëtejmë të legjislacionit dhe politikave që do të ndikonin në lehtësimin e të bërit biznes. Kjo u tha gjatë një takimi të Ministrit të Financave Bedri Hamza me Drejtorin Ekzekutiv të Odës Ekonomike Amerikane Arian Zeka, transmeton infosot.

Ministri i Financave Bedri Hamza falënderoi Odën Amerikane për kontributin konstruktiv të saj në aspektin e avancimit të legjislacionit dhe ofroi gatishmërinë e Ministrisë që ai drejton për të trajtuar edhe në të ardhmen rekomandimet e kësaj organizate. Ministri Hamza foli edhe për planet e Ministrisë së Financave që kanë për qëllim ngritjen e performancës së të hyrave përmes luftimit të ekonomisë joformale, me qëllim të eliminimit të konkurrencës jolojale për bizneset që janë tatimpagues të rregullt, e gjithashtu edhe me planet për ndryshimet legjisative gjatë vitit 2018.

Në anën tjetër, Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane Arian Zeka përgëzoi Ministrin Hamza për punën e Ministrisë së Financave në përgatitjen e rishikimit të buxhetit për vitin 2017 dhe kalimin e tij në Kuvend, por edhe në përgatitjen në të njejtën kohë të buxhetit për vitin 2018. Ai poashtu falënderoi Ministrinë e Financave për vazhdimin e reformave fiskale, përmes aprovimit të vendimit për lirimin nga detyrimet doganore të lëndëve të para, që ka qenë kërkesë e kahmotshme e Komitetit të Prodhuesve të Odës Amerikane.