Ministri Bytyqi i jep fund zgjedhjes së drejtorëve politik në shkolla

E publikuar: 19/07/2019 15:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka nënshkruar Udhëzimin Administrativ që përcakton detyrat, përgjegjësitë, kriteret dhe procedurat e zgjedhjes së drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të institucionit publik edukativo-arsimor dhe aftësues parauniversitar në Republikën e Kosovës.

Me këtë rast kreu i MASHT-it, thekson se rol kryesor në këtë proces të rëndësishëm do të kenë prindërit dhe kolektivi i shkollës.

“Për të mirën e fëmijëve më shumë se prindërit nuk përkushtohet askush, dhe për këtë, bazuar edhe në Udhëzim, do të jenë prindërit dhe kolektivi i shkollës ata të cilët do të kenë rol kyç dhe vendimtar në ketë proces kaq të rëndësishëm.”

Sipas Bytyqit nepërmjet këtij udhëzimi synohet depolitizimi i arsimit.

“Përmes këtij Udhëzimi Administrativ, që është në përputhje të plotë me dispozitat ligjore, synohet të jetësohet zotimi ynë që prej kur jemi në krye të këtij dikasteri, depolitizimi i sistemit arsimor.”