Ministrat Shala dhe Ahmetaj nënshkruajnë marrëveshje në fushën e Pronësisë Industriale

E publikuar: 26/11/2018 17:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka nënshkruar sot marrëveshje me ministrin e Financave të Ekonomisë dhe Punës të Republikës së Shqipërisë, Arben Ahmetaj në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive që u mbajt sot në qytetin e Pejës.

Ministri Shala ka thënë se Kosova dhe Shqipëria kanë nevojë për rritje të shkëmbimeve tregtare, duke krijuar lehtësira dhe duke larguar barrierat tarifore dhe jo tarifore.

“Sot më shumë se kurrë vendet tona kanë nevojë për rritjen e shkëmbimeve tregtare, duke krijuar të gjitha lehtësimet e mundshme, dhe heqjen e çdo barriere, si tarifore dhe jo tarifore që ekziston mes dy vendeve tona. Andaj sot në kuadër të plotësimit të objektivave për rritjen dhe thellimin e bashkëpunimit ndër institucional mes dy vendeve tona, së bashku me ministrin e Financave të Ekonomisë dhe Punës të Republikës së Shqipërisë, Arben Ahmetaj nënshkruam një marrëveshje për bashkëpunim në sferën e Pronës Industriale për zbatimin e së cilës pastaj do të angazhohen dy institucionet tona, të cilat mbulojnë Pronën Industriale, e që janë Agjencia e Pronës Industriale e Republikës së Kosovës dhe Drejtoria e Përgjithshme Markave dhe Patentave e Republikës së Shqipërisë”, ka thënë ministri Shala.

Shala ka thënë se kjo marrëveshje mbulon sfera të rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe garantimin e Investimeve të ndërmarrjeve duke mbrojtur dhe regjistruar pronën e tyre intelektuale apo industriale pasqyruar kjo në: Inovacione, shpikje, marka tregtare etj.
“Objekte të pronës industriale si krijimtari të mendjes njerëzore kanë një rendësi të veçantë ekonomike për biznesin dhe vlerësohet se 70-80 për qind e aseteve të një kompanie në vendet me ekonomi të bazuar në dije, përbehet nga pasuria jo-fizike ose kapital intelektual.

Andaj kjo marrëveshje dhe marrëveshjet tjera sot hapin një dritare të bashkëpunimit institucional dhe rritjes së shkëmbimeve tregtare në mes dy vendeve tona”, ka theksuar Shala.