Minatorët kërkojnë t’u bashkohen ekipeve të kërkimit për nxjerrjen e trupave nga Miniera e Artanës

E publikuar: 02/06/2020 16:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sylë Gërbeshi është një prej minatorëve që ishte në vendin e ngjarjes kur masa shkëmbore zuri dy kolegë të tij në Minierën e Artanës.

Dhe tash, ai dëshiron të kthehet sërish në horizont, Gërbeshi dhe kolegët tjerë të Minierës kanë shprehur gatishmërinë që t’u bashkohen ekipeve të specializuara të FSK-së, Policisë së Kosovës, zjarrfikësve dhe KEK-ut në nxjerrjen e trupave që kanë mbetur te punishtja 249 e Minierës së Artanës.

“Tash nuk kemi kurrfarë mundësie. Mundësitë janë qysh me i tërheq ata dy vëllezër nga aty, a po na lejojnë ne kolegët të shkojmë brenda për t’i tërhequr së bashku me këta vëllezër që kanë ardhur nga FSK-ja e Policia. Nëse jo, po presim këtu. Jemi të kënaqur të marrim pjesë edhe ne”, tha ai, përcjell KP-ja.

Edhe Vehbi Gërbeshi, minator, shprehu gatishmërinë që të marrë pjesë në operacionin e tërheqjes së trupave.

“Të na lejohet edhe neve të hyjmë, sepse kemi mundur me qenë ne aty. Ata e kanë pas fatin deri aty”, ka thënë Vehbi Gërbeshi.