Minatorët dhe menaxhmenti i ”Trepçës” futen në grevë

E publikuar: 18/06/2018 19:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Minatorët e gjigantit metalurgjik ”Trepça” kanë mbajtur këtë të hënë grevë njëorëshe në çdo njësi prodhimi e pune në këtë ndërmarrje publike.
Këtë e kanë konfirmuar sindikata dhe menaxhmenti i Trepçës, ndërsa theksohet se kjo protestë është kundrejt Draftstatutit i cili sipas tyre iu është imponuar nga Ministria dhe Qeveria.

”Kjo protestë e jona është kundrejt Draftstatutit të Trepçës i cili na është imponuar nga Ministria e Qeveria, pa përfshirë vërejtjet e kërkesat tona si dhe bordi i emëruar nga qeveria ka votuar e po voton pa kuorum e në shpërfillje të kërkesave tona. Ai Draftstatut që u miratua nga qeveria dhe sot ishte për shqyrtim nga Komisionin parlamentar për Zhvillim Ekonomik, është i papranueshëm për punëtorët dhe menaxhmentin e Trepçës. Po ashtu sot, kryetari i Sindikatës z. Shyqyri Sadiku mori pjesë në mbledhjen e komisionit parlamentar për zhvillim ekonomik që u mbajt për shqyrtimin e draftstatutit të Trepçës. Kryetari paraqiti në këtë mbledhje qëndrimin e Sindikatës sa i takon statutit dhe sqaroi se pa vendosur listën e aseteve të Trepçës si pjesë e statutit dhe pa vendosur qartë të drejtat e punëtorëve Sindikata nuk do të ndalet”.

Sipas menaxhmentit greva e minatorëve do të vijojë edhe nesër në të njëjtën periudhë kohore.