Mimoza Kusari tregon se a do ta mbajë foton e Thaçit në zyrën e saj

E publikuar: 05/03/2016 00:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shumica e kryetarëve të komunave të Kosovës, përpos atyre që vijnë nga Partia Demokratike e Kosovës, kanë mendime të ndryshme sa i përket vendosjes apo jo të fotografisë së presidentit të ri të Republikës, Hashim Thaçi, në zyrat e tyre të punës.

Ndonëse me ligj nuk është e rregulluar vendosja e fotografisë së presidentit në zyrat e institucioneve, edhe Kushtetuta e Kosovës nuk e specifikon një gjë të tillë.

Në Nenin 6 të Kushtetutës së Kosovës, ku flitet për simbolet, thuhet se “flamuri, stema dhe himni janë simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës, të cilat pasqyrojnë karakterin shumetnik të saj, ndërsa pamja, mënyra e përdorimit dhe mbrojtja e flamurit dhe të simboleve të tjera shtetërore rregullohen me ligj. Mënyra e përdorimit dhe e mbrojtjes së simboleve kombëtare rregullohet me ligj”, thuhet në këtë nen.

Gazeta “Zëri” ka kontaktuar me kryetaren e Gjakovës e cila është përgjigjur nëse do ta vendos apo jo fotografinë e presidentit të ri, Hashim Thaçi, në zyrën e saj të punës.

Mimoza Kusari-Lila, është zotuar se do të veprojë në bazë të ligjeve në fuqi. Sipas saj, kjo çështje nuk i përket zgjidhjes personale të kryetarëve.

“Është çështje e institucionit të presidentit. Unë prej ditës së parë në zyrë e kam fotografinë e presidentes Jahjaga dhe normal me ndryshimet të cilat bëhen, atëherë ndërrohen. Andaj, nuk është çështja e cila mbetet në zgjidhjen individuale të kryetarëve”, ka thënë ajo. /Lajmi.net/