Miliona njerëz vdesin në vit nga ajri i ndotur: Sëmundjet që mund të shkaktohen dhe si të mbroheni

E publikuar: 31/01/2018 02:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Është paksa e vështirë t’i bindësh njerëzit të vetëdijesohen për gjendjen momentale të ambientit në botë derisa kjo gjendje fillon të ndikojë tek ata personalisht. Ditëve të fundit, ndotja e ajrit ka bërë që Prishtina të jetë e para në botë me nivelet më të larta të ndotjes së ajrit – gjë e cila është vërtet shqetësuese.

Por, përse është shqetësuese? Cilat janë efektet e ndotjes së ajrit në shëndetin e qytetarëve dhe çfarë sëmundje mund t’iu shkaktojë, transmeton Telegrafi.

Fillimisht, të njoftohemi me llojet e ndotjes së ajrit

Së pari duhet të keni parasysh se ekzistojnë tri lloje të ndotësve të ajrit të cilat shkaktojnë probleme në ambient dhe në shëndet:

Materia e partiklave (PMs). Këto grimca të vogla të rrezikshme të ndotjes së ajrit mund të penetrojnë thellë në mushkëritë dhe në enët tona të gjakut. Grimcat i keqësojnë sëmundjet e zemrës dhe mushkërive, ndërsa janë përgjegjëse për vdekjen e 29,000 njerëzve në vit vetëm në Mbretërinë e Bashkuar.

Dyoksidi i nitrogjenit (NO2). Ky është gaz toksik të cilin shpeshherë mund ta vëreni si mjegullim të verdhë mbi qytet. Nivelet e larta të NO2’së mund ta keqësojnë shëndetin e personave që vuajnë nga astma, e gjithashtu mund të shkaktojnë probleme me frymëmarrje dhe me koll te të tjerët.

Ozoni në nivel të tokës (O3). Niveli tokësor apo “i keq” i ozonit krijohet nga reaksionet kimike mes oksidit të nitrogjenit (NOx) dhe përbërësve organik volatil (VOC) në prezencën e ditës së diellit. Ky mund të shkaktojë acarim të syve, hundës dhe fytit.

Si ndikon saktësisht ndotja e ajrit në shëndetin tuaj?

Para se të kalojmë në fazën optimiste se si mund ta përmirësojmë ajrin dhe të qëndrojmë të shëndetshëm, fillimisht t’i kemi parasysh dëmet që ndotja e ajrit i shkakton në shëndetin tonë.

Kanceri

* Organizata Botërore e Shëndetësisë ka deklaruar se ndotja e ajrit, duke përfshirë PM-në dhe veturat me naftë janë kancerogjene për njerëzit dhe gjenden në Grupin e Parë të rrezikut (në të njëjtin grup me duhanin).

Astma

* Shumica e njerëzve me astma deklarojnë se kualiteti i dobët i ajrit ua keqëson shëndetin. Kjo, sipas ekspertëve shëndetësorë, i rrezikon ata të kenë sulm të astmës.

Sulm në zemër dhe në tru

* Ekspozimi afatshkurtër në ndotje të ajrit e rritë rrezikun e vdekjeve nga sulmet e zemrës dhe të trurit.

Sëmundjet e zemrës

* Ndotja e ajrit ndërlidhet me zhvillimin e sëmundjeve kardiovaskulare, duke përfshirë edhe bllokimin e artereve. Gjithashtu e keqëson edhe gjendjen e atyre që veçse kanë sëmundje të zemrës.

Diabeti

* Zhvillimi i Tipit 2 të diabetit nuk varet vetëm nga faktorët gjenetikë dhe të stilit të jetesës, por edhe nga ndotja e ajrit si pasojë e trafikut në rrugë.

Demenca

* Ka shumë studime që e dëshmojnë një lidhje mes faktorëve të ambientit dhe sëmundjes së Alzheimerit.

Sipas studimeve, çdo vit vdesin rreth 3 milionë njerëz nga ndotja e ajrit. Sipas prestigjiozes ‘The Guardian’, ky numër është më i lartë sesa numri i kombinuar i vdekjeve nga HIV/Aids dhe malaria.

Efektet shëndetësore të ajrit të ndotur te fëmijët

Doktorët thonë se shumica e fëmijëve nuk ndikohen nga ekspozimi afatshkurtër në ndotje të ajrit, por disa individë me sëmundje të zemrës apo të mushkërive mund të kenë probleme. Por, ekspozimi afatgjatë i rrezikon ata të zhvillojnë astmën, problemet e mushkërive, shkaktojnë probleme në zhvillimin e trurit, etj.

Çfarë mund të bëni për ta mbrojtur veten dhe fëmijët nga ndotja e ajrit?

* Lëreni veturën në shtëpi kur mundeni: vozitësit e veturave ekspozohen dyfish më shumë në ndotje të ajrit sesa një person që ecën në të njëjtën rrugë.

* Kur ecni, qëndroni larg rrugës ku vozisin veturat.

* Kur ecni, çikloni apo vraponi shmangni trafikun

* Kur pritni në semafor ndaleni veturën

* Kaloni sa më shumë kohë në zona të gjelbra

* Kufizojeni kohën që e kaloni jashtë në ditët kur ndotja e ajrit shënon nivele të larta

* Mbani dritaret e veturave mbyllë kur jeni në komunikacion

* Ecni ose vraponi në mëngjes sepse kualiteti i ajrit është më i mirë. /Telegrafi/