Milani s’dorëzohet për Conten, synon “puçin” ndaj Chelsea

E publikuar: 29/03/2016 11:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Janë të shumtë emrat që po qarkullojnë në sh tëpinë e Milanit për trajnerin e ardhshëm të kuqezinjve. Di Françesko, Sarri, Donadoni dhe së fundmi Antonio Konte.
Ish-trajneri i Juventusit do të largohet nga drejtimi i përfaqësueses italiane pas përfundimit të aventurës në Europian për të marrë drejtimin e Çelsit, të paktën kështu thuhet.

Sepse tani kjo zgjidhje nuk duket më edhe aq e sigurt. Blutë janë në kërkim të pasardhësit të Gus Hiding dhe dukej se e kishin gjetur atë te strategu italian, i cili po studion anglisht prej kohësh.

Ndërkohë, e ardhmja e Sinisha Mihajloviç te Milani është në fije të perit. Deklaratat e Berluskonit i kanë dhënë pak frymëmarrje serbit, por duket se kanë qenë më shumë si fjalë që janë thënë për të mbajtur ekipin bashkuar dhe jo për të dalë në mbrojtje të trajnerit. Mihajloviç ka pak mundësi që të jetë trajneri i kuqezinjve edhe sezonin e ardhshëm dhe për këtë arsye klubi është vënë në lëvizje për Antonio Konten.

Lajmi është bërë i ditur nga e përditshmja angleze “Mirror”, sipas së cilës Milani ka gjetur te Konte njeriun e duhur për të rimëkëmbur ekipin. Pak a shumë siç bëri me Juventusin. Gjithmonë sipas “Mirror”, negociatat mes trajnerit dhe Çelsit janë bllokuar për shkak se Konte do të marrë me vete në Londër një staf prej pesë personash. Milani po përfiton nga kjo situatë për ta bindur teknikun të zgjedhë “Djallin”.

Prapaskena

Edhe pse të gjithë janë të bindur për kalimin e trajnerit italian në Londër, ky i fundit, gjatë një interviste për mediat vendase, deklaroi: “Mund të flas për Çelsin, nuk është një tabu. Mirëpo, nuk është vetëm Çelsi, pasi në po të njëjtën mënyrë mund të flasim edhe për ndonjë tjetër skuadër, ndoshta që militon edhe në kampionatin italian”, tha Konte.

Sigurisht çdo rrugë të çon te Milani, teksa kujtojmë se presidenti i kuqezinjve, Silvio Berluskoni dhe krahu i tij i djathtë, Adriano Galiani nuk e kanë fshehur kurrë admirimin e tyre për strategun italian, simboli i “rilindjes” së Juventusit pas “Calciopoli”-t.