Milani i rikthehet fitores pas katër ndeshjeve, triumfon mes vështirësive ndaj Spalit

E publikuar: 29/12/2018 22:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Milani ka arritur të fitojë mes vështirësive ndaj Spalit me rezultat të ngushtë 2-1 në ndeshjen e vlefshme për javën e 19-të në Serie A.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim të Milanit, por ishin të dyja skuadrat që arritën të shënojnë nga një gol.

Goli i parë i ndeshjes, megjithatë, erdhi nga mysafirët pasi në minutën e 13-të ishte Andrea Petagna, i cili shënoi për epërsinë 0-1.

Festa e Petagnas pas golit (Foto: Marco Luzzani/Getty Images/Guliver)

Pas vetëm tre minutave lojë Milani arriti të kthehet në lojë me anë të Samu Castillejos që shënoi një gol të bukur për barazimin 1-1.

Castillejo shënio një supergol (Foto: Marco Luzzani/Getty Images/Guliver)

Në pjesën e dytë, Rossonerët vazhduan me lojë më të mirë dhe arritën të gjejnë edhe golin e fitores.

Luhej minuta e 64-të e ndeshjes kur në skenë doli Gonzalo Higuain që u zhbllokua pas një kohe të gjatë duke shënuar një gol të mirë për 2-1, dhe ky doli të jetë goli i rezultatin përfundimtar.

Higuain duke festuar golin me Gattuson (Foto: Marco Luzzani/Getty Images/Guliver)

Pas kësaj fitore, Milani e sheh veten në pozitën e pestë me 31 pikë, ndërsa Spali renditet i 16-ti me 17 pikë.

Në ndeshjen e radhës, Rossonerët udhëtojnë te Genoa, ndërsa Spali e pret në shtëpi Bolognan. /Telegrafi/